Një zyrtar i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore (AMP) në Vlorë është pezulluar nga detyra, pas dyshimeve për përfshirje në shfrytëzimin e një hapësire publike për qëllime personale. I. H., specialist në Drejtorinë Rajonale të AMP-së, dyshohet se ka pasur lidhje të tërthorta me një parkim në zonën e Lungomares, i cili ka shpëtuar nga aksionet për lirimin e hapësirave publike.
Një parkim “i paprekshëm” në zemër të qytetit
Sipas burimeve jo zyrtare, ndonëse parkimi nuk është në emër të I. H., ai dyshohet se është përfituesi real i të ardhurave që gjenerohen nga ky aktivitet. Gjatë aksioneve të herëpashershme të Policisë Bashkiake dhe strukturave të Policisë së Shtetit, parkimi në fjalë nuk është prekur, duke ngjallur dyshime për mbrojtje të qëllimshme.
Bëhet fjalë për një kontratë të dyshimtë të lidhur me Ministrinë e Financave, në periudhën kur I. H. mbante postin e drejtuesit të sektorit të dhënies me qira të pronave shtetërore (2022–2024). Kontrata rezulton të jetë në emër të shtetasit D. B., por sinjalizimet e shumta nga qytetarët, të cilat po verifikohen nga BluTV, sugjerojnë se I. H. është përfituesi i vërtetë.
Reagim nga qytetarët dhe institucionet
Ankesat nga banorët e zonës kanë nxitur reagimin e autoriteteve, përfshirë Bashkinë e Vlorës dhe Policinë e Shtetit. Kryeministri Edi Rama, i cili vizitoi së fundmi qytetin, ka dhënë udhëzime të qarta që zonat publike të Lungomares të lirohen nga çdo ndërhyrje e paligjshme. Megjithatë, pas largimit të tij, aktiviteti i parkimit ka vijuar normalisht, duke shtuar dyshimet për një konflikt të mundshëm interesi dhe shkelje të hapura të ligjit.
“Ne kemi sinjalizuar disa herë për këtë situatë. Na kërkohet deri në 10 mijë lekë të vjetra për të parkuar, pa asnjë dokument apo kupon,” – shprehen disa banorë për BluTV.
Një rast që sfidon ligjin dhe institucionet
Ky incident ka ngritur pikëpyetje serioze mbi funksionimin real të institucioneve mbikëqyrëse, dhe për më tepër, rolin e zyrtarëve të shtetit në mbrojtjen ose shfrytëzimin e hapësirave publike për përfitime personale. Pezullimi i zyrtarit të AMP-së është një hap i parë, por qytetarët kërkojnë hetim të plotë dhe transparent për të zbardhur të gjithë zinxhirin e përgjegjësive.
Adriatik Golemaj, Drejtor Ekzekutiv i televizionit, ka 28 vite përvojë në media lokale dhe ndërkombëtare. Ka punuar si gazetar, redaktor dhe prezantues, si dhe si ndërmjetës për organizata mediatike të huaja. Ka drejtuar projekte komunikimi me publikun dhe median për kompani ndërkombëtare. Në rolin e tij aktual, ai garanton funksionimin e televizionit dhe përfaqëson institucionin në bashkëpunime strategjike.
Komente