Një emër me peshë në futbollin europian zbarkon në kampionatin shqiptar. Mesfushori spanjoll José Rodríguez Martínez, i njohur për aktivizimin e tij vite më parë me ekipin e parë të Real Madrid, është përforcimi më i ri i Flamurtarit të Vlorës për sezonin e ardhshëm në Kategorinë Superiore.
Rodríguez, i cili është vetëm 30 vjeç, ka pasur një karrierë të pasur në futbollin europian. Ai ka debutuar me ekipin e parë të Real Madrid nën drejtimin e trajnerit José Mourinho, duke realizuar edhe dy gola me “Los Blancos”. Përveç Realit, ai është aktivizuar edhe me ekipe si Mainz në Gjermani, Galatasaray në Turqi dhe disa skuadra të tjera në kampionatin spanjoll, si Deportivo La Coruña, Getafe apo Elche.
Për Flamurtarin, ky është një nga transferimet më të bujshme të viteve të fundit. Trajneri i ekipit vlonjat ka insistuar personalisht për afrimin e Rodríguez, i cili përveçse pritet të jetë një vlerë e shtuar për skuadrën, sjell edhe një eksperiencë të jashtëzakonshme për vetë kampionatin shqiptar.
Prezantimi zyrtar i lojtarit do të bëhet në ditët në vijim, ndërsa burime pranë klubit bëjnë me dije se nuk do të jetë lëvizja e vetme e bujshme këtë merkato. Flamurtari duket i vendosur të ndërtojë një skuadër konkurruese, me objektiva të qarta për të qenë protagonist në garën për titull në sezonin e ri.
Flamurtari, një emër i madh me histori, tani edhe me yje të huaj në radhët e tij.
Elton Nika është gazetar i njohur nga Vlora, me një karrierë të gjatë në raportimin e lajmeve lokale dhe kombëtare. Aktualisht, ai kontribuon në Blu TV me kronika nga terreni dhe emisione informuese.
Komente