Zverneci dhe Porotonova po kthehen në një ndër zonat më të kërkuara për investime turistike dhe rezidenciale në bregdetin jugor të Shqipërisë. Me një natyrë të egër, gjelbërim të dendur dhe plazhe të virgjëra, kjo pjesë e Vlorës po tërheq gjithnjë e më shumë vëmendjen e investitorëve vendas dhe të huaj.
E pozicionuar pranë lagunës së Nartës dhe vetëm pak minuta larg nga qyteti i Vlorës, Porotonova mbetet një nga plazhet më pak të prekura nga ndërtimet masive. Rruga që të çon deri aty është ende e vështirë për t’u përshkuar, çka ka ruajtur natyrën e saj të paprekur. Por pikërisht kjo ka bërë që shumë ekspertë ta konsiderojnë si një nga potencialet më të mëdha të turizmit elitar në jug të vendit.
Në vitet e fundit, Porotonova ka qenë e njohur për frekuentimin nga pushues me kamper, të cilët kërkojnë qetësi dhe kontakt të drejtpërdrejtë me natyrën. Megjithatë, për shkak të mungesës së infrastrukturës dhe mbrojtjes së vijës bregdetare, numri i pushuesve është kufizuar.
Sot, panorama ka ndryshuar. Interesi i investitorëve është rritur ndjeshëm dhe pritet që në muajt në vijim të konkretizohen projektet e para për ndërtimin e strukturave turistike ose rezidencave, duke ruajtur karakterin natyror të zonës, por duke sjellë një zhvillim të qëndrueshëm dhe të kontrolluar.
Zverneci dhe Porotonova janë tashmë në hartën e investimeve strategjike, si shembull i mundësive që ofron bregdeti shqiptar për një turizëm me vlerë të shtuar dhe respekt ndaj mjedisit.
Elton Nika është gazetar i njohur nga Vlora, me një karrierë të gjatë në raportimin e lajmeve lokale dhe kombëtare. Aktualisht, ai kontribuon në Blu TV me kronika nga terreni dhe emisione informuese.
Komente