Një zjarr i madh ka shkatërruar plotësisht skenën kryesore të festivalit Tomorrowland në Belgjikë, një ditë para se mijëra fansa të muzikës elektronike të mbërrinin në ngjarjen e njohur ndërkombëtarisht. Fatmirësisht, nuk pati të lënduar, siç njoftuan organizatorët, të cilët konfirmuan se festivali do të vazhdojë sipas planit, pavarësisht dëmit të shkaktuar nga zjarri.
Pamjet e shpërndara në mediat lokale dhe në rrjetet sociale treguan flakët dhe tymin e dendur që përfshinë skenën dhe shkatërruan pjesërisht edhe pyjet përreth. Organizatorët e Tomorrowland, në një postim zyrtar, theksuan se tani fokusi është te "gjetja e zgjidhjeve" për vazhdimin e festivalit.
Për të mbyllur ngjarjen, janë planifikuar performanca të disa prej DJ-ve më të njohur botërorë, si David Guetta, Lost Frequencies dhe Armin Van Buuren, ndërsa skena e dytë, Freedom Stage, do të mbetet aktive.
Për këtë ngjarje, prokuroria e Antwerpit ka hapur një hetim, megjithëse zjarrfikësit kanë konfirmuar se ngjarja duket të ketë qenë aksidentale.
Qyteti Boom pritet të presë rreth 100,000 vizitorë, dhe, siç njoftohet, kampi DreamVille do të hapet siç ishte planifikuar.
Komente