Zjarri në Pilur vijon për të tretën ditë – flakët kërcënojnë zonën e Porto Palermos

Zjarri në Pilur vijon për të tretën ditë – flakët kërcënojnë zonën e Porto Palermos

Prej më shumë se 30 orësh, vatrat e zjarrit në zonën kodrinore të fshatit Pilur, në bashkinë e Himarës, vijojnë të jenë aktive, duke djegur sipërfaqe të gjera me shkurre dhe pemë.

Pavarësisht përpjekjeve të vazhdueshme përmes ndërhyrjeve nga toka dhe ajri, flakët nuk janë vënë ende nën kontroll të plotë. Helikopteri i angazhuar ka vijuar edhe gjatë ditës së djeshme të hedhë ujë mbi zonën e prekur, por era e fortë ka ndihmuar përhapjen e zjarrit.

Në terren ndodhen forca zjarrfikëse dhe punonjës të bashkisë së Himarës, të cilët kanë arritur deri më tani të pengojnë avancimin e zjarrit drejt zonave të banuara. Sipas burimeve zyrtare, në orët e para të mëngjesit të sotëm, flakët janë zhvendosur drejt zonës së Porto Palermos, duke shtuar rrezikun për përhapje të mëtejshme.

Forcat e Armatosura janë bashkuar me ekipet e emergjencës për të ndihmuar në izolimin e vatrës, ndërsa pritet që helikopteri të vijojë edhe sot ndërhyrjet ajrore për shuarjen e flakëve.

Situata mbetet e tensionuar dhe autoritetet lokale bëjnë apel për vigjilencë dhe bashkëpunim nga ana e banorëve, ndërsa monitorimi vijon në mënyrë të pandërprerë.

Lajmi nga: Elton Nika
Elton Nika

Elton Nika

Elton Nika është gazetar i njohur nga Vlora, me një karrierë të gjatë në raportimin e lajmeve lokale dhe kombëtare. Aktualisht, ai kontribuon në Blu TV me kronika nga terreni dhe emisione informuese.

Komente

-