Pilur, Himarë – Rreth 650 hektarë kullota dhe sipërfaqe me bimësi janë përfshirë nga zjarri i përmasave të mëdha që prej disa ditësh ka djegur zonën e Pilurit në bashkinë e Himarës.
Aktualisht, situata paraqitet e stabilizuar, me vetëm një vatër aktive zjarri, ku po vijon puna intensive nga toka për izolimin e saj. Në terren janë angazhuar strukturat e Bashkisë Himarë.
Sipas Robert Skendajt, përgjegjës i emergjencave civile pranë Prefekturës së Vlorës, ndërhyrja është bërë nga toka dhe nga ajri përmes bashkëpunimit të forcave zjarrfikëse nga katër bashki: Vlorë, Sarandë, Himarë dhe Finiq, si dhe me ndihmën e rreth 40 efektivëve të Forcave të Armatosura, që kanë vepruar edhe me helikopterë.
“Prej ditësh situata ka qenë problematike për shkak të përhapjes së shpejtë të flakëve. Aktualisht kemi vetëm një vatër aktive që nuk rrezikon banesat,” – deklaroi Skendaj për BluTV.
Në ditët e para të zjarrit, për shkak të përmasave dhe rrezikut për banesat, në terren janë angazhuar edhe forcat e policisë dhe FNSH-ja. Ndërkohë, autoritetet kanë paralajmëruar nisjen e një hetimi për të përcaktuar nëse zjarri është i qëllimshëm.
Pas shuarjes së plotë të flakëve, do të kryhet një verifikim i detajuar i dëmeve të shkaktuara në sipërfaqet e djegura.
BluTV do të vijojë ndjekjen nga afër të situatës në terren.
Elton Nika është gazetar i njohur nga Vlora, me një karrierë të gjatë në raportimin e lajmeve lokale dhe kombëtare. Aktualisht, ai kontribuon në Blu TV me kronika nga terreni dhe emisione informuese.
Komente