Zjarri në malin e Dukatit vijon prej katër ditësh – Në terren edhe Kreu i Mbrojtjes Civile, Haki Çako

Zjarri në malin e Dukatit vijon prej katër ditësh – Në terren edhe Kreu i Mbrojtjes Civile, Haki Çako

Prej katër ditësh, zjarri në malin e Dukatit vijon të përhapet duke djegur një sipërfaqe të konsiderueshme me kullota, pemë dhe bimësi, ndërsa të gjitha strukturat shtetërore janë në terren për të frenuar avancimin e flakëve.

Për të inspektuar situatën nga afër, në zonë ka mbërritur edhe Kreu i Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, Haki Çako, i cili theksoi se në terren janë angazhuar forcat zjarrfikëse, njësitë e mbrojtjes civile dhe strukturat e pushtetit vendor.

“Parku Kombëtar i Llogarasë nuk rrezikohet për momentin, ndërsa helikopteri është në gatishmëri për çdo ndërhyrje të mundshme ajrore,” – deklaroi Çako.

Në një tjetër prononcim, Çako u ndal edhe te shkaktarët e mundshëm të zjarreve, duke theksuar se 90% e tyre janë rezultat i ndërhyrjes njerëzore.

“Duhet hetuar çdo rast i zjarrit. Hetimi përcakton nëse ka qenë i qëllimshëm apo nga pakujdesia, por në çdo rast, dëmet janë të konsiderueshme dhe kërkojnë përgjegjësi,” – u shpreh ai.

Aktualisht, forcat zjarrfikëse dhe mbështetëse janë në përpjekje për të lokalizuar zjarrin dhe për të parandaluar përhapjen në zona më të gjera, ndërsa terreni malor e bën ndërhyrjen të vështirë.

Autoritetet apelojnë për bashkëpunim nga qytetarët dhe raportim të menjëhershëm të çdo vatre të re zjarri, në mënyrë që ndërhyrja të jetë sa më e shpejtë dhe efektive.

Lajmi nga: Elton Nika
Elton Nika

Elton Nika

Elton Nika është gazetar i njohur nga Vlora, me një karrierë të gjatë në raportimin e lajmeve lokale dhe kombëtare. Aktualisht, ai kontribuon në Blu TV me kronika nga terreni dhe emisione informuese.

Komente

-