Prej tre ditësh, zjarri ka shpërthyer në malin e Dukatit, në Vlorë, dhe ende vazhdon të përshkallëzohet, duke shkatërruar një sipërfaqe të konsiderueshme me bimësi, pemë dhe shkurre. Puna për të lokalizuar dhe shuar flakët vazhdon me intensitet nga forcat e armatosura, zjarrfikësit dhe punonjësit e emergjencave civile.
Aktualisht, në vendin e ngjarjes janë të pranishëm 30 efektivë të forcave të armatosura dhe 17 zjarrfikës të cilët po punojnë në kushte mjaft të vështira terreni. Po ashtu janë angazhuar dhe punonjës të shërbimit pyjor të cilët po bashkëpunojnë ngushtësisht për të parandaluar përhapjen e zjarrit.
Për të mbajtur situatën nën kontroll më herët ditën e djeshme janë bërë ndërhyrje ajrore me helikopterë ndërsa pritet që në varësi të përhapjes së flakëve të ketë edhe ndërhyrje të tjera ajrore. Objektivi kryesor është lokalizimi i zjarrit dhe parandalimi i përhapjes së tij drejt Parkut Kombëtar të Llogarasë.
Për momentin situata është ende e tensionuar dhe forcat janë të angazhuara për të shmangur një katastrofë më të madhe mjedisore. Zjarri ka shkaktuar dëme të konsiderueshme, por puna për të shuar flakët vazhdon me çdo mjet të mundshëm.
Elton Nika është gazetar i njohur nga Vlora, me një karrierë të gjatë në raportimin e lajmeve lokale dhe kombëtare. Aktualisht, ai kontribuon në Blu TV me kronika nga terreni dhe emisione informuese.
Komente