Zjarri në Hoshtimë dhe zonat përreth, digjen rreth 30 hektarë tokë dhe 600 rrënjë ullinj – Situata nën kontroll

Zjarri në Hoshtimë dhe zonat përreth, digjen rreth 30 hektarë tokë dhe 600 rrënjë ullinj – Situata nën kontroll

Rreth 30 hektarë tokë me bimësi të dendur dhe shkurre, si dhe afro 600 rrënjë ullinj, janë shkatërruar nga zjarri që përfshiu të dielën fshatin Hoshtimë të Vlorës dhe zonën përreth, përfshirë edhe fshatrat Kërkovë dhe Bestrovë.

Bilanci paraprak u konfirmua nga kreu i emergjencave civile në bashkinë e Vlorës, Ardian Vreshtazi, i cili bëri me dije se falë një ndërhyrjeje të koordinuar nga të gjitha strukturat, zjarri është vënë plotësisht nën kontroll rreth orës 23:30 të mbrëmjes së së dielës. Zona vijon të jetë nën monitorim të vazhdueshëm për të shmangur rindezje të mundshme.

“Fatmirësisht nuk ka pasur pasoja për jetën e banorëve, megjithëse në fazën e parë të përhapjes së flakëve u bë i domosdoshëm evakuimi i disa familjeve për shkak të rrezikut të afërt,” u shpreh Vreshtazi. Ai shtoi se paralelisht me mbylljen e operacionit për shuarjen e zjarrit, do të nisë një hetim për të zbuluar shkaqet e kësaj ngjarjeje.

Zjarri shpërtheu fillimisht në fshatin Hoshtimë dhe u përhap me shpejtësi për shkak të erës së fortë dhe terrenit të vështirë. Në operacionin për shuarjen e flakëve u angazhuan forcat zjarrfikëse me mjete nga toka, si dhe ndërhyrje nga ajri, duke ndaluar përhapjen drejt zonave të banuara.

Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve që të tregojnë kujdes maksimal dhe të njoftojnë menjëherë për çdo vatër zjarri në mënyrë që të parandalohet përkeqësimi i situatës dhe rrezikimi i jetës apo pronës.

Lajmi nga: Elton Nika
Elton Nika

Elton Nika

Elton Nika është gazetar i njohur nga Vlora, me një karrierë të gjatë në raportimin e lajmeve lokale dhe kombëtare. Aktualisht, ai kontribuon në Blu TV me kronika nga terreni dhe emisione informuese.

Komente

-