Zjarret në vend - Dy vatra ende aktive, rreziku mbetet i lartë në disa qarqe

Zjarret në vend - Dy vatra ende aktive, rreziku mbetet i lartë në disa qarqe

Gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 28 vatra zjarri në të gjithë vendin, ndërsa 2 prej tyre vijojnë të jenë ende aktive. Zjarret janë evidentuar në bashkitë Elbasan, Durrës, Vlorë, Finiq, Selenicë, Himarë, Delvinë, Skrapar, Shkodër, Vau i Dejës, Malësi e Madhe, Tiranë, Kavajë, Korçë dhe Lezhë.

Vatrat aktive
Elbasan – Një vatër e madhe zjarri ka përfshirë vendgrumbullimin e mbetjeve në bashkinë Elbasan. Janë angazhuar shërbimet zjarrfikëse nga disa bashki si dhe Forcat e Armatosura, me gjithsej 10 automjete zjarrfikëse, mjete të rënda dhe 45 efektivë. Ndërhyrjet vijuan gjatë gjithë natës, por zjarri nuk është izoluar plotësisht. Operacioni vijon edhe sot me forca shtesë në terren.

Finiq – Një tjetër vatër e rrezikshme është aktive në fshatin Grazhdan dhe është përhapur drejt zonës pyjore të fshatit Malçan. Terreni i thyer ka vështirësuar ndërhyrjen. Në operacion janë përfshirë 8 automjete zjarrfikëse, forca pyjore dhe vullnetarë nga komuniteti lokal.

Bilanci i përgjithshëm i ndërhyrjes:
32 automjete zjarrfikëse

255 forca operacionale

2 helikopterë dhe 40 efektivë të Forcave të Armatosura

5 mjete zjarrfikëse ushtarake dhe një traktor me zinxhirë

Parashikimet dhe thirrja për kujdes
Sipas Institutit të Gjeoshkencave, për ditën e sotme parashikohet rrezik i lartë për zjarre në qarqet Shkodër, Kukës, Lezhë, Durrës, Tiranë, Berat dhe Fier, ndërsa qarqet e tjera janë në nivel rreziku të moderuar. Temperaturat pritet të arrijnë deri në 40°C, duke e përkeqësuar më tej rrezikun e shpërthimit të zjarreve.

Mbrojtja Civile njofton se mbetet në gatishmëri të plotë për të përballuar çdo situatë emergjente që mund të shfaqet.

Thirrje për qytetarët:
Autoritetet apelojnë për kujdes maksimal dhe përgjegjshmëri nga të gjithë qytetarët. Është e domosdoshme të shmanget:

ndezja e zjarreve në natyrë,

djegia e mbetjeve,

hedhja e cigareve apo objekteve të ndezshme në ambiente të hapura.

Çdo rast zjarri duhet të raportohet menjëherë pranë shërbimeve të zjarrfikëses ose strukturave vendore të mbrojtjes civile.

Lajmi nga: Armand Xhelili
Armand Xhelili

Armand Xhelili

Armandi Xhelilaj është gazetar me përvojë të gjatë në median vizive dhe të shkruar, me fokus në raportimin nga terreni dhe trajtimin e problematikave sociale e komunitare. Me një formim akademik në Gazetari-Komunikim dhe eksperiencë në televizione ai ka dëshmuar profesionalizëm dhe angazhim të vazhdueshëm në fushën e informimit.

Komente

-