Zjarret në landfill nxisin padi historike në Elbasan – Qytetarja kërkon drejtësi për ndotjen dhe dëmet shëndetësore

Zjarret në landfill nxisin padi historike në Elbasan – Qytetarja kërkon drejtësi për ndotjen dhe dëmet shëndetësore

Për herë të parë në Shqipëri, një qytetare ka paditur Bashkinë e Elbasanit dhe kompaninë “Eco-Elb” për ndotjen e shkaktuar nga zjarret në landfillin e qytetit. Fatmira Sejrani, e përkrahur nga një organizatë sociale, kërkon dëmshpërblim për pasojat shëndetësore të përjetuara pas ekspozimit ndaj tymit të dendur për gjashtë ditë radhazi, nga data 1 deri më 6 korrik.

Fatmira, e cila vuan nga probleme kronike me frymëmarrjen, u detyrua të përdorte pompën e ajrit në mënyrë të përsëritur për shkak të ndotjes. Padia e paraqitur nga avokati Genti Sejrani përfaqëson një hap domethënës drejt drejtësisë mjedisore dhe vë në fokus përgjegjësinë institucionale për sigurinë e qytetarëve.

“Nuk ka ndodhur më parë që të ngrihet një padi me objekt të tillë në Shqipëri. Kërkojmë njohjen e cenimit të mjedisit nga bashkia dhe kompania private, dhe detyrimin e tyre për dëmshpërblim ndaj paditëses dhe komunitetit,” – theksoi Sejrani.

Rasti vendos një precedent të ri ligjor në fushën e ndotjes mjedisore në Shqipëri. Zjarret në landfill janë përsëritur gjatë viteve të fundit – përfshirë në 2022 dhe 2023 – ndërsa institucioneve u është kërkuar hetim dhe llogaridhënie për degradimin e ajrit dhe dështimin në menaxhimin e mbetjeve.

Sipas Institutit për Zhvillimin e Habitatit, matjet e datës 2 korrik treguan nivele alarmante ndotjeje, përfshirë përqendrime të larta të grimcave të imta (PM2.5/PM10), komponimeve organike të paqëndrueshme (VOCs), metanit, dioksidit të karbonit dhe të azotit – ndotës që cenojnë rëndë shëndetin publik, veçanërisht të personave me sëmundje të mushkërive.

Kompania publike “Eco-Elb” ka fajësuar temperaturat e larta për zjarrin dhe ka pranuar mungesën e funksionimit të impiantit, i cili, sipas deklaratave zyrtare, ka punuar vetëm shtatë muaj gjatë vitit 2023 dhe është jashtë funksioni që nga dhjetori i atij viti.

Ky rast përforcon dështimin e projektit të inceneratorëve, që përfshiu Elbasanin, Fierin dhe Tiranën – projekte të paguara me dhjetëra milionë euro, por që mbetën në pjesën më të madhe jofunksionale dhe të përfshira në hetime penale për korrupsion dhe shpërdorim detyre.

BluTV do të vijojë ndjekjen e kësaj çështjeje që ka zgjuar interes publik dhe ligjor për të drejtën e qytetarëve në një mjedis të pastër dhe të sigurt.

Lajmi nga: Efrosina Papa
Efrosina Papa

Efrosina Papa

Efrosina Papa, gazetare me një karrierë 26-vjeçare në median e Vlorës, është një zë i dalluar i informimit lokal, që ka ndërtuar me përkushtim urën mes qytetarëve dhe ngjarjeve të ditës. Ajo është e njohur për pasqyrimin e drejtë dhe të ndershëm të realitetit, me vëmendje të veçantë ndaj historive njerëzore dhe figurave punëtore të komunitetit.

Komente

-