Në zonën e Delvinës, mbledhja e bimëve medicinale ka qenë për dekada një burim i rëndësishëm jetese për dhjetëra familje, duke u kthyer në një traditë të trashëguar brez pas brezi.
Vera, pensioniste dhe agronome me profesion, është një nga gratë që ka lidhur jetën e saj ngushtë me natyrën. Edhe sot, pavarësisht moshës, ajo vazhdon të merret me grumbullimin e bimëve mjekësore, një aktivitet që e ka nisur që në rini dhe që mbetet pjesë e përditshmërisë së saj.
Ajo tregon se disa prej bimëve të rralla, të cilat rriteshin kryesisht në zonat bregore dhe njiheshin për vlerat e tyre shëruese, këtë vit kanë munguar pothuajse plotësisht.
Sipas saj, arsyeja kryesore lidhet me zjarret që përfshinë gjatë verës sipërfaqe të mëdha pyjesh dhe livadhesh në Delvinë. Flakët dëmtuan rëndë habitatet natyrore të këtyre bimëve delikate, duke ndikuar drejtpërdrejt në rënien e prodhimit dhe duke rrezikuar ekzistencën e tyre në të ardhmen.
Ndërkohë që tregu lokal i bimëve mjekësore po përballet me vështirësi, në shkallë kombëtare ky sektor vazhdon të mbetet me rëndësi të veçantë. Sipas të dhënave zyrtare, Shqipëria mbledh dhe kultivon rreth 186 lloje bimësh medicinale dhe aromatike nga mbi 330 specie që rriten natyrshëm në territorin e saj. Shumica e tyre destinohen për eksport, duke e renditur vendin ndër prodhuesit kryesorë në rajon. Banorët e Delvinës theksojnë se mbrojtja e këtij potenciali është thelbësore për të mos humbur një traditë jetike për komunitetin.
Komente