Zjarr në Qafë Gjashtë, forcat zjarrfikëse në terren – Rreziku i përhapjes mbetet i lartë

Zjarr në Qafë Gjashtë, forcat zjarrfikëse në terren – Rreziku i përhapjes mbetet i lartë

Një vatër zjarri është regjistruar pasditen e sotme në zonën e Qafë Gjashtës, në krahun e Lëkursit, në territorin e Bashkisë Sarandë. Menjëherë pas njoftimit, forcat e Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit (MZSH) të Sarandës janë angazhuar në terren me një mjet zjarrfikës dhe tre efektivë për të bërë të mundur izolimin e flakëve. Për shkak të terrenit të thyer dhe rrezikut të përhapjes së shpejtë të zjarrit, në ndihmë janë nisur edhe forca nga bashkitë përreth.

Konkretisht, mbështetje kanë ofruar strukturat e MZSH Delvinë, Konispol dhe Finiq, secila me nga një mjet zjarrfikës dhe tre efektivë, për të koordinuar përpjekjet në shuarjen e flakëve. Kushtet atmosferike të pafavorshme – me erë të fortë dhe temperatura të larta – e bëjnë situatën më të ndërlikuar dhe e shtojnë rrezikun për përhapje të mëtejshme të zjarrit në zonat përreth.

Deri në këto momente, nuk raportohet për rrezik të menjëhershëm për banesat, por autoritetet vijojnë të monitorojnë situatën dhe u bëjnë thirrje banorëve të zonës që të tregojnë kujdes maksimal, të shmangin lëvizjet pranë vatrës së zjarrit dhe të njoftojnë menjëherë në rast të ndonjë përkeqësimi të situatës.

Në këtë periudhë vere, rreziku i zjarreve në jug të vendit mbetet shumë i lartë për shkak të thatësirës së zgjatur, temperaturave ekstreme dhe faktorëve të tjerë natyrorë apo njerëzorë. Autoritetet vijojnë të apelojnë për vigjilencë dhe bashkëpunim nga qytetarët, për të shmangur çdo veprim që mund të nxisë përhapjen e flakëve në zonat pyjore dhe malore.

Lajmi nga: Armand Xhelili
Armand Xhelili

Armand Xhelili

Armandi Xhelilaj është gazetar me përvojë të gjatë në median vizive dhe të shkruar, me fokus në raportimin nga terreni dhe trajtimin e problematikave sociale e komunitare. Me një formim akademik në Gazetari-Komunikim dhe eksperiencë në televizione ai ka dëshmuar profesionalizëm dhe angazhim të vazhdueshëm në fushën e informimit.

Komente

-