Zjarr në Lagjen Kushtrimi, Vlorë - Banorët Kërkojnë Shërbime dhe Masa Parandalimi nga Bashkia

Zjarr në Lagjen Kushtrimi, Vlorë - Banorët Kërkojnë Shërbime dhe Masa Parandalimi nga Bashkia

Një zjarr ka shpërthyer pasditen e sotme në zonën e njohur si fusha e Aviacionit, në lagjen Kushtrimi të Vlorës, duke shkaktuar shqetësim mes banorëve dhe rikthyer frikën për një ngjarje të përsëritur. Flakët përhapen me shpejtësi përmes vegjetacionit të lënë pas dore, duke rrezikuar afërsinë e banesave. Dëshmitarët tregojnë për një zjarr të nisur me shpejtësi, por ende nuk dihet nëse ai ka shpërthyer aksidentalisht ose ka qenë rezultat i një akti të qëllimshëm.

Në përpjekje për të parandaluar përhapjen e flakëve, banorët janë ndërhyrë vetë në momentet e para. I pari që reagoi ishte një elektriçist i zonës, i cili arriti të lokalizojë vatrën e zjarrit deri në mbërritjen e zjarrfikësve. Sipas tij, kjo nuk është hera e parë që kjo zonë është prekur nga zjarret. Edhe një vit më parë, flakët e barit të thatë kërcënuan disa banesa dhe depo private, duke i lënë banorët të shqetësuar për sigurinë e tyre.

Një tjetër banor shprehet me zhgënjim: “Nuk jam as i partive, as i ideve. Jam i kraheve, punoj, paguaj taksa dhe dua shërbime nga bashkia. Po t’i shikosh, as barin nuk e presin, edhe shërbimet më minimale mungojnë. Ne po presim të digjet ndonjë shtëpi që të marrin masa?”

Zjarrfikësit mbërritën shpejt dhe bënë të mundur neutralizimin e flakëve pa pasoja për jetën e njerëzve ose banesat, por ngjarja ka rikthyer shqetësimin e banorëve për mungesën e mirëmbajtjes dhe monitorimit të zonave të gjelbërta, që shpesh janë të braktisura dhe të pakontrolluara.

Banorët e lagjes Kushtrimi apelojnë për ndërhyrje të menjëhershme nga autoritetet lokale, jo vetëm për pastrimin e zonës, por dhe për ndërtimin e një plani të qartë parandalimi të zjarreve sezonale që çdo vit kërcënojnë këtë komunitet.

Lajmi nga: Adriatik Golemaj
Adriatik Golemaj

Adriatik Golemaj

Adriatik Golemaj, Drejtor Ekzekutiv i televizionit, ka 28 vite përvojë në media lokale dhe ndërkombëtare. Ka punuar si gazetar, redaktor dhe prezantues, si dhe si ndërmjetës për organizata mediatike të huaja. Ka drejtuar projekte komunikimi me publikun dhe median për kompani ndërkombëtare. Në rolin e tij aktual, ai garanton funksionimin e televizionit dhe përfaqëson institucionin në bashkëpunime strategjike.

Komente

-