Dimal, 11 korrik 2025 – Një zjarr i fuqishëm ka përfshirë zonën kodrinore pranë fshatit Malas-Bregas në qytetin e Dimalit që në orët e para të mëngjesit të së premtes. Flakët, të cilat vijojnë aktive edhe në mesditë, kanë përfshirë një sipërfaqe të konsiderueshme toke, duke shkrumbuar qindra pemë ulliri dhe duke shkaktuar dëme të mëdha në zonë.
Zjarri i fuqishëm sfidon ndërhyrjen për shkak të terrenit dhe erës
Në ndihmë të forcave zjarrfikëse të Dimalit kanë mbërritur ekipe nga Fieri, Lushnja dhe Berati, por era e fortë dhe terreni i thyer kodrinor po e vështirësojnë ndjeshëm ndërhyrjen për lokalizimin dhe neutralizimin e flakëve.
Autoritetet në terren, rrezikohen banesat përreth
Sipas burimeve zyrtare, emergjencat civile dhe autoritetet vendore janë të angazhuara në terren, ndërsa përpjekjet për shuarjen e zjarrit po vazhdojnë pa ndërprerje. Banesat pranë zonës së prekur janë aktualisht në rrezik, por po merren masat për të shmangur çdo pasojë për jetën dhe pronën e banorëve.
BluTV do të vijojë të informojë në kohë reale mbi situatën dhe masat e marra nga autoritetet për menaxhimin e emergjencës në Dimal.
Komente