Për Anggi-n, një mësuese e ardhur nga Belize, Vlorë u bë një destinacion i ri i jetës dhe punës pas një oferte pune që bashkëshorti i saj mori në këtë qytet bregdetar. Ndërsa përballohej me sfidat e adaptimit në një vend të ri, ajo zbuloi gjithashtu mundësitë e reja profesionale që Shqipëria i ofronte, duke e bërë këtë qytet një vend ku mund të ndërtonte një të ardhme të re për veten dhe familjen e saj.
Një nga lidhjet kryesore që bashkon ata që vendosin të jetojnë në Shqipëri është përvoja e ndikimit kulturor dhe gjuha. Sa i përket sigurisë, mësuesja e re nuk ka dyshime: "E vlerësoj shumë mundësinë për të ecur në rrugë pa pasur frikë nga grabitjet." Pas një viti përgatitjeje dhe orientimi, ajo ka gjetur punë në një shkollë lokale për mësimdhënien e gjuhës angleze. Duke qenë bilinguale ajo u përshtat shpejt. Të zbulojmë më tepër për perspektivën e Anggi mbi jetën dhe punën në Shqipëri përmes kësaj interviste:
Cili ishte motivi i zhvendosjes suaj në Shqipëri?
"Partneri im punonte në një kazino në Belize. Në vitin 2022, ai mori një ofertë pune nga Marina Bay Casino në Vlorë. Ai erdhi i pari dhe unë e ndoqa një vit më vonë, në vitin 2023, së bashku me djalin tonë."
Si e gjeni jetën në Vlorë?
"Fillimisht, përjetova një tronditje të madhe kulturore. Gjithçka ishte ndryshe: ushqimi, kultura dhe mbi të gjitha gjuha. Një nga ndryshimet më të dukshme ishte mungesa e diversitetit kulturor. Në Belize, bashkëjetojnë njerëz nga shumë grupe etnike dhe kombësi të ndryshme. Në Vlorë, të paktën në vitin 2023, ishte e rrallë të shihje njerëz me ngjyrë apo nga kultura të tjera.
Besoj se diversiteti kulturor pasuron një vend, duke sjellë ide të reja, edhe në fushën e biznesit – për shembull, hapja e restoranteve me kuzhina të ndryshme si ajo kineze apo indiane, të cilat këtu janë të vështira për t’u gjetur.
Megjithatë, Shqipëria ka një avantazh të madh: sigurinë. E vlerësoj jashtë mase faktin që mund të ec rrugëve pa pasur frikën e ndonjë grabitjeje – diçka që, për fat të keq, nuk është gjithmonë e mundur në vendin tim."
A është zhvendosja juaj përfundimtare?
"Jemi këtu për një kohë të pacaktuar. Kontrata e punës së bashkëshortit tim nuk ka një afat skadence."
Me çfarë merreni?
"Erdha në Shqipëri pa ditur saktësisht se çfarë pune do të bëja. Mora një vit pushim sepse ndihesha e mbingarkuar nga zhvendosja në një vend krejtësisht të ri. M’u desh kohë për t’u përshtatur. Më pas fillova të kërkoj punë, duke u fokusuar në mësimdhënien e gjuhës angleze, duke përfituar nga fakti që jam dygjuhëshe. Gjatë kërkimeve të mia, zbulova Helen Doron English. Pasi pashë rrjetet e tyre sociale, më tërhoqi shumë metoda e tyre e mësimdhënies. Të mësosh një gjuhë përmes lojërave dhe aktiviteteve interaktive është një mënyrë argëtuese dhe efektive. Fillova punë atje në vitin 2024."
Si është përshtatur djali juaj në shkollë?
"Kur filluam kërkimet për ta regjistruar në shkollë, fillimisht kërkonim një shkollë në anglisht, por në qytet nuk ekzistojnë të tilla. Mësimi i gjuhës shqipe ka qenë shumë i vështirë për të, dhe kjo e ka bërë të ndërlikuar procesin mësimor. Është për të ardhur keq që Ministria e Arsimit ende nuk ka parashikuar krijimin e një shkolle ndërkombëtare në gjuhën angleze në Vlorë, për të plotësuar nevojat e të huajve që jetojnë këtu."
Keni arritur të krijoni miqësi?
"Shqiptarët, nga ajo që kam vëzhguar gjatë këtyre dy viteve, janë njerëz modeste dhe bujarë. Fatkeqësisht, barriera gjuhësore e ka bërë të vështirë krijimin e miqësive për mua."
Çfarë ka ndryshuar që kur jetoni në Vlorë?
"Fillimisht, ushqimi ishte shumë më i lirë krahasuar me vendin tim. Sot situata nuk është më e njëjtë."
Komente