Partia Socialiste duket se e ka përqendruar të gjithë fushatën te makineria elektorale dhe administrata publike në qarkun e Fierit, duke zëvendësuar politikën me klientelizëm dhe duke krijuar një klimë frike, të cilën disa qytetarë dhe kandidatë të opozitës e përshkruajnë gjithnjë e më shpesh si “diktaturë”.
“Po çfarë thua more?! Ëndrra me sy hapur sheh ti?!” — ishte përgjigjja që mori ky gazetar nga një grup të moshuarish, teksa luanin domino në qendër të fshatit Libofshë në Fier. Pyetja lidhej me mundësinë që ndokush, njëkohësisht punonjës i administratës publike, të ishte mbështetës i opozitës.
“Ata, edhe kur i fusin në punë, i fusin për t’i nxjerrë nga Partia Demokratike,” shtoi një pensionist, i cili, si shumë të tjerë me të cilët u bisedua në fshatra dhe qytete të qarkut Fier, nuk pranoi të citohej me emër, për shkak të një klime që e përshkruan si frikë dhe terror nga makineria elektorale socialiste.
Në Divjakë, një qytezë bujqësore relativisht e pasur, disa aktivistë të Partisë Demokratike qeshën kur u bë e njëjta pyetje. E qeshura u ndërpre nga Aurel Malko, kandidat për deputet dhe drejtues i opozitës në Divjakë, i cili tha se opozita ka mbështetës edhe në administratë, ndonëse ata “rrallëherë guxojnë të shprehen publikisht”.
Përdorimi i administratës publike për të punësuar militantë dhe për të siguruar vota nuk është i ri në Shqipëri. Që nga rënia e komunizmit, ndryshimi i pushtetit ka sjellë edhe ndërrimin e drejtorëve, shefave dhe punonjësve, duke e kthyer shtetin në një mjet elektoral. Si pasojë, shteti është detyruar të paguajë qindra milionë euro në dëmshpërblime për shkarkimet e padrejta nga puna.
Por gjatë viteve të fundit, situata është përkeqësuar më tej. Një “ushtri” e patronazhistëve të përshkruar nga qytetarët si “spiunë partiakë”, duket se kontrollon punësimet dhe bindjet politike në mënyrë sistematike. Frika për jetesën, për punën dhe për mirëqenien e familjes ka krijuar një klimë heshtjeje, ku shumë qytetarë nuk guxojnë të shprehen përkrah ndonjë partie tjetër përveç PS-së.
“Mua më hoqën nga puna që herët,” thotë Tomorr Abdurrahmani, aktivist i opozitës në Fier. Ai ka punuar si elektriçist në një stacion pompimi deri në ndërrimin e pushtetit 12 vite më parë dhe sot jeton me një pagesë për paaftësi të pjesshme.
“Populli në përgjithësi është rrugëve,” thotë një mik i tij, i punësuar me mëditje në ndërtim. “Por mbështetësit e opozitës edhe më shumë.”
Ndarje historike
Qarku i Fierit, i dyti për nga popullsia pas Tiranës, ka një elektorat prej rreth 400 mijë vetësh dhe jep 16 nga 140 mandatet në Kuvend. PS ka ruajtur gjithmonë avantazhin, me 9-10 mandate kundrejt 6-7 që i mbeten opozitës.
Kjo prirje lidhet edhe me trashëgiminë komuniste — Fierin industrial të naftës me paga më të larta, por edhe me traumën e vitit 1997. Protestat masive ndaj skemave piramidale dhe represioni shtetëror sollën kaos dhe mbi 1800 viktima. “Votojmë të majtën, se të paktën na hoqi armët nga duart,” i tha gazetarit një i moshuar në fshatin Strumë.
Në anën tjetër, ekzistojnë dy grupe me qëndrim më të ftohtë ndaj PS-së: pasardhësit e të ardhurve nga ish-Jugosllavia në vitet 1930 dhe komuniteti çam, të cilët u persekutuan gjatë diktaturës.
Megjithatë, mbështetja për opozitën në këto grupe kërkon arsye të forta për t'u kthyer në votë aktive. Ndërkohë, një numër i madh votuesish të PS-së e kanë besnikërinë të pakushtëzuar.
“Ky e voton Partinë edhe nëse ajo ia heq pensionin,” thotë një mësues në pension në Babunjë, duke treguar një tjetër të moshuar që pohon: “Të gjithë vjedhin.”
Pleqëri dhe varfëri
Shqipëria po plaket me ritme dramatike. Në Fier, 24% e popullsisë është mbi 65 vjeç — shumë më tepër se në Tiranë. Kjo gjeneratë ka jetuar gjysmën e jetës nën komunizëm dhe gjysmën tjetër në tranzicion. Pensionet variojnë nga 9 mijë lekë deri në 40 mijë, por shumica jetojnë me më pak se 20 mijë lekë në muaj.
Skema e pensioneve është në krizë. Sot ka vetëm 1.1 të punësuar për çdo pensionist, dhe raporti pritet të përkeqësohet. Politikanët premtojnë “400 euro pension” apo “200 euro minimal”, por realiteti është i zymtë. Në Fier, pensionistët përbëjnë 41% të popullsisë votuese rezidente.
“Na gënjejnë,” thotë një burrë në Fier që merr 40 mijë lekë për një jetë të kaluar në industrinë e naftës.
Një fermer në Libofshë, me 9 mijë lekë pension, e plotëson të ardhurën me tokë, por thotë: “Nuk jetohet as me bujqësi, as me pension. Fëmijët nga emigrimi na mbajnë.”
Në qendër të Fierit, kandidatë të partive të reja si Mirela Ruko nga Lëvizja Bashkë apo Frida Mavriqi nga Partia Mundësia, hasin në skepticizmin e të moshuarve.
“Së shpejti do hamë me lugë floriri,” tha me ironi një pensioniste që merr vetëm 9 mijë lekë.
Çështje lirie
Në një qytet ku shumica e vendeve të punës janë publike, shumë qytetarë ndihen të kërcënuar nëse shprehen lirshëm. Gerard Komini, kandidat i Koalicionit Euroatlantik, kujton presionin ndaj familjes së tij gjatë protestave studentore të 2018-s.
“Njerëzit këtu kanë frikë. Kërcënohen çdo ditë me bukën e gojës,” thotë ai.
Mes mbështetësve të Lëvizjes Bashkë ka edhe të ardhur nga Tirana apo emigrantë që kthehen për fushatë. Një prej tyre, Spiro Goga, thotë: “Ky nuk bëri asgjë,” duke iu referuar Ramës.
Arkitekti Elis Baba shton: “Nëse doni prova që jemi në diktaturë, shihni atë ndërtesën groteske në formën e Skënderbeut. Është një monument diktature.”
Vjola Murati është spikere dhe gazetare në Blu Televizion, me një formim akademik në Shkenca Sociale dhe Komunikim nga Universiteti i Tiranës. Ajo sjell në ekran profesionalizëm, ndjeshmëri dhe përkushtim ndaj realitetit të komunitetit vendas.
Komente