Zbardhen detaje të reja për vrasjen e Renato Hoxhajt – Në pranga ndihmësi i autorit, pista kryesore: atentat me pagesë si pjesë e larjes së hesapeve mes grupeve kriminale

Zbardhen detaje të reja për vrasjen e Renato Hoxhajt – Në pranga ndihmësi i autorit, pista kryesore: atentat me pagesë si pjesë e larjes së hesapeve mes grupeve kriminale

Zbardhen zhvillime të reja nga hetimet për vrasjen e 58-vjeçarit Renato Hoxhaj, i cili u ekzekutua mëngjesin e 27 prillit pranë banesës së tij në lagjen “Hajro Çakërri”. Policia ka arrestuar Eris Mehmetajn, 37 vjeç, me origjinë nga Tropoja, i dyshuar për ndihmë në arratisjen e autorit të krimit.

Sipas hetimeve, Mehmetaj i kishte dhënë autorit një automjet të modifikuar me targa të ndryshuara, me të cilin ai u largua pas atentatit. Mjeti i ishte dorëzuar autorit përpara ngjarjes, ndërsa Mehmetajt iu sekuestrua një telefon celular, që pritet të ndihmojë në zbardhjen e kontakteve dhe urdhëruesve të mundshëm.

Renato Hoxhaj u qëllua me katër plumba – dy në kokë dhe dy në trup – në një atentat të mirëorganizuar dhe profesional, që sipas burimeve të hetimit mban qartazi shenjat e një vrasjeje me pagesë.

Pista më e besueshme mbi të cilën po punon grupi hetimor është ajo e larjes së hesapeve mes grupeve kriminale lokale. Autorët dyshohet se janë të paguar dhe nuk kanë pasur një lidhje të drejtpërdrejtë me viktimën, çka e bën këtë atentat pjesë të zinxhirit të gjatë të konflikteve mes bandave të Vlorës dhe më gjerë.

Burime të tjera hetimore nuk përjashtojnë mundësinë që porosia të jetë dhënë nga jashtë vendit, konkretisht nga Emiratet e Bashkuara Arabe, por për momentin, pista kryesore mbetet ajo e përplasjes mes grupeve kriminale në territorin vendas.

Ndërkohë, janë marrë në pyetje pesë persona, përfshirë bashkëjetuesen e viktimës, Klodiana Rakipaj, e cila ka deklaruar se Hoxhaj kishte qenë i heshtur dhe i mbyllur ditët e fundit, pa shfaqur ndonjë shqetësim konkret për ndonjë konflikt apo kërcënim.

Hetimet janë në zhvillim dhe pritet që celulari i sekuestruar nga Mehmetaj të nxjerrë në dritë të tjera detaje për rrjetin që qëndron pas këtij atentati të rëndë. Autoritetet nuk përjashtojnë të tjera arrestime në orët dhe ditët në vijim.

Lajmi nga: Vjola Murati
Vjola Murati

Vjola Murati

Vjola Murati është spikere dhe gazetare në Blu Televizion, me një formim akademik në Shkenca Sociale dhe Komunikim nga Universiteti i Tiranës. Ajo sjell në ekran profesionalizëm, ndjeshmëri dhe përkushtim ndaj realitetit të komunitetit vendas.

Komente

-