Policia e Kosovës ka bërë të ditur se xhandarmëria serbe ka hyrë brenda territorit të Kosovës, duke plagosur dhe rrëmbyer një shtetas kosovar të nacionalitetit serb.
Ngjarja ka ndodhur më 1 nëntor 2025 në zonën kufitare të Leposaviçit, një rajon i njohur për tensione të përsëritura mes forcave të sigurisë së të dyja vendeve.
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Kosovës, incidenti ndodhi kur një person i identifikuar me inicialet M.V., shtetas i Republikës së Kosovës, u plagos dhe u rrëmbye brenda territorit kosovar nga pjestarë të xhandarmërisë së Serbisë.
“Me datën 01.11.2025, Policia e Kosovës ka pranuar informacion se në zonën e Leposaviqit një person (M.V.), shtetas i Republikës së Kosovës, i nacionalitetit serb, dyshohet se është plagosur dhe rrëmbyer brenda territorit të Republikës së Kosovës nga xhandarmëria serbe,” – thuhet në deklaratën zyrtare.
Policia e Kosovës ka nisur hetimet në bashkëpunim me mekanizmat ndërkombëtarë të sigurisë, për të verifikuar rrethanat e sakta të ngjarjes dhe për të siguruar kthimin e shtetasit të rrëmbyer.
Ky incident vjen në një moment të ndjeshëm për marrëdhëniet Kosovë–Serbi, pas një periudhe të tensionuar në veri të vendit dhe pas përpjekjeve të BE-së për të rifilluar dialogun mes dy qeverive.
Institucionet kosovare kanë dënuar ashpër shkeljen e sovranitetit territorial, duke e cilësuar aktin si provokim të drejtpërdrejtë ndaj paqes dhe sigurisë rajonale. Ndërkohë, pritet që autoritetet në Prishtinë të kërkojnë reagim zyrtar nga misionet ndërkombëtare dhe nga autoritetet e Beogradit për këtë ngjarje.
Komente