Në një vilë të vjetër të viteve ’30 në Vlorë, lulëzojnë çdo ditë dhjetëra bimë shumëngjyrëshe, të mbjella me përkushtim nga një duar të palodhura. Aty e gjejmë xha Thanas Zharrën, 81-vjeçarin që prej më shumë se 62 vitesh i është përkushtuar punës me natyrën dhe lulet, me të njëjtin pasion si ditën e parë.
“Të punosh me bimët është kënaqësia më e madhe. Lulja është si fëmija, do ujë, kujdes, dashuri. Unë jam këtu çdo ditë, të paktën 8 orë, por në të vërtetë nuk ka orar – puna të thërret,” rrëfen ai për kamerat e emisionit “Një nga ne”.
Me një përvojë të gjatë në agronomi, xha Thanasi nuk ndalet as nga mosha, as nga vapa. Çdo ditë kontrollon bimët, krasit, plehëron, përgatit fidanë të rinj dhe shet lule – një jetë e lidhur me tokën dhe bukurinë.
“Arritjen e kësaj moshe ia dedikoj kësaj pune. Të merresh me lule të qetëson shpirtin, të largon hallet. Të jep kurajë për të vazhduar,” thotë ai.
Edhe pse ka kontribuar ndër të parët në përhapjen e kultivimit të luleve në qytet, xha Thanasi nuk fsheh zhgënjimin për pensionin prej vetëm 170 mijë lekësh: “62 vjet eksperiencë dhe ky është vlerësimi? Është qesharake.”
Por ndryshe nga ky realitet, ai vijon të kultivojë edhe varietete autoktone si dardha dhe fiqtë, dhe po eksperimenton me avokado, banane dhe lime, kultura që po kërkohen gjithnjë e më shumë në tregun vendas.
“Unë nuk do të ndalem. Nuk do ketë ditë pa ardhur këtu. Lulet më kanë zgjatur jetën dhe do të më shoqërojnë deri në fund,” përmbyll xha Thanasi, një shembull frymëzues i dashurisë për natyrën dhe përkushtimit të vërtetë ndaj pasionit.
Komente