Gjatë forumit ekonomik “BELTALKS” në Beograd, Presidenti serb Aleksandër Vuçiç prezantoi një ide që, sipas tij, do t ia paraqesë së shpejti Presidentes së Komisionit Europian Ursula von der Leyen dhe Presidentit të Këshillit Europian Antonio Costa. Propozimi parashikon që të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor të anëtarësohen njëkohësisht në Bashkimin Europian, një sugjerim që në sallë u shoqërua me të qeshura.
Vuçiç argumentoi se një anëtarësim i përbashkët do të shmangte frustrimet dhe ndasitë rajonale, duke u dhënë të gjitha shteteve të Ballkanit ndjenjën e përfshirjes dhe sigurisë politike. Ai u shpreh se ideja po merr reagime pozitive dhe se do ta diskutojë drejtpërdrejt me udhëheqësit europianë.
Presidenti serb tha se Serbia pret një takim produktiv në Bruksel dhe theksoi se vendi ka bërë “shumë detyra të shtëpisë”, por megjithatë duhet të vazhdojë të ecë përpara në procesin e integrimit.
Ndërkohë, Vuçiç foli edhe për situatën e krijuar nga sanksionet amerikane ndaj kompanisë së naftës NIS, duke paralajmëruar rrezikun e sanksioneve dytësore që mund të prekin bankat serbe. Ai u shpreh se stabiliteti financiar i vendit është në rrezik, përkundër faktit se Serbia është aktualisht i vetmi vend në rajon me vlerësim investues dhe është pranë marrjes së një vlerësimi të ri pozitiv nga Moody’s dhe Fitch.
Komente