Klos, 13 qershor – Policia e Tiranës ka arrestuar autorin e dyshuar të një vrasjeje të ndodhur mbrëmjen e së enjtes në fshatin Xibër të Klosit. Hazbi Velsula, 32 vjeç, u kap në zonën e Alliasit në banesën e të vëllait, vetëm pak orë pas ngjarjes që tronditi komunitetin.
Sipas njoftimit zyrtar të policisë, viktima është Selim Velsula, 65 vjeç, kushëri i autorit të dyshuar. Ai u gjet i pajetë pranë pronës së tij, me plagë të shkaktuara nga një armë e ftohtë (thikë). Dyshohet se konflikti mes dy kushërinjve ka ardhur për motive pronësie.
Hetimet paraprake kanë zbuluar se pas një përplasjeje fizike, Hazbi Velsula ka qëlluar me thikë ndaj 65-vjeçarit, duke i shkaktuar vdekjen. Ngjarja është referuar në Prokurorinë e Matit për veprat penale “Vrasja me paramendim” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të ftohta”.
Sipas burimeve policore, pikërisht motra e autorit ka njoftuar policinë, pasi ky i fundit i kishte rrëfyer ngjarjen. Policia ka sekuestruar si provë materiale thikën e përdorur në krim, ndërsa autori është tashmë në pranga.
Një banor i zonës dhe punonjës i njësisë administrative lokale u shpreh se komuniteti është i tronditur dhe se nuk kishte pasur më parë asnjë ankesë apo konflikt të njohur mes dy familjeve.
Autoritetet e rendit vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, ndërkohë që apelojnë për zgjidhjen e konflikteve në rrugë ligjore dhe shmangien e dhunës.
Komente