Një vdekje që u raportua si aksidentale ka rezultuar të jetë një vrasje e ftohtë dhe e planifikuar. Viktima, Kozeta Teço, 52 vjeçe, humbi jetën në kushte të dyshimta, pasi fillimisht u mendua se kishte vdekur nga asfiksimi i shkaktuar nga një zjarr aksidental në banesë. Megjithatë, hetimet zbuluan një histori më të errët.
Ekspertiza mjekoligjore e ka vërtetuar se Kozeta kishte dy plagë të thella në qafë dhe shpatull, një informacion ky që e çoi policinë në një hetim të thelluar. Dyshimet e para treguan se viktima mund të ishte vrarë nga Ilirjan Selmani, një 37-vjeçar i cili, sipas hetimeve, mund të kishte inskenuar zjarrin për të fshehur krimin.
Në një hetim të mëtejshëm, policia e Pogradecit përdori kamerat e sigurisë dhe gjeti rroba të përdorura nga autori i dyshuar, të cilat ai i kishte hedhur në kazanin e mbeturinave. Po aty u gjet edhe thika me të cilën dyshohet se është goditur viktima.
Ilirjan Selmani është identifikuar dhe ndaluar nga policia. Fillimisht ai e mohoi çdo përfshirje në ngjarje, por hetimet e mëtejshme nxorën në pah lidhjen e tij intime me Kozetën dhe mundësinë që ai të ketë përfituar nga të ardhurat e saj, të cilat ajo i fitonte duke mbledhur mbeturina.
Për më shumë informacion dhe zhvillime të tjera rreth kësaj ngjarjeje tragjike, qëndroni të informuar me BLU TV.
Komente