Përkeqësimi i motit dhe era e fortë që përfshiu bregdetin e Vlorës gjatë pasdites së së dielës vuri në rrezik jetën e disa pushuesve, të cilët ndodheshin në det me mjete të vogla lundruese. Policia Kufitare ndërhyri me shpejtësi, duke shpëtuar në total 17 persona, mes tyre turistë vendas dhe të huaj.
BluTV sjell pamje ekskluzive nga momentet e shpëtimit, ku turistët nxirren në breg nga forcat e Policisë Kufitare dhe sillen në Porto Palermo.
Rasti i parë u shënua në Palasë, ku një çift turistësh u përballën me vështirësi për shkak të dallgëve të forta. Në Qeparo, 14 turistë që udhëtonin me kanoe nuk mundën të ktheheshin në breg për shkak të rrymave të fuqishme. Policia ndërhyri me mjetet e saj detare duke garantuar kthimin e sigurt të tyre.
Një tjetër incident ndodhi në Drimadhes, ku një grua ishte larguar afro 4 milje nga bregu me komerdare. Ajo u lokalizua në kohë dhe u kthye në breg në gjendje të mirë shëndetësore.
Policia Kufitare bën apel për kujdes të shtuar nga pushuesit, veçanërisht në ditët kur parashikohen kushte të përkeqësuara atmosferike, duke shmangur daljet në det me kanoe, komerdare apo mjete të tjera të rrezikshme në kushte me erë dhe dallgë.
Ndiqni pamjet vetëm në BluTV, nga momentet kur pushuesit ndihmohen në det dhe transportohen drejt brigjeve të sigurta në Porto Palermo.
Armandi Xhelilaj është gazetar me përvojë të gjatë në median vizive dhe të shkruar, me fokus në raportimin nga terreni dhe trajtimin e problematikave sociale e komunitare. Me një formim akademik në Gazetari-Komunikim dhe eksperiencë në televizione ai ka dëshmuar profesionalizëm dhe angazhim të vazhdueshëm në fushën e informimit.
Komente