Në kulmin e sezonit turistik, ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro dhe ministri i Brendshëm Ervin Hoxha zhvilluan një inspektim përgjatë vijës bregdetare të Vlorës, të shoqëruar nga kryetari i bashkisë, Ermal Dredha.
Inspektimi u përqendrua në dy prej zonave më të frekuentuara të qytetit: Lungomaren dhe Plazhin e Vjetër, ku autoritetet panë nga afër masat e marra për përmirësimin e hapësirave publike, mbajtjen e pastërtisë dhe garantimin e sigurisë për pushuesit.
Ministrja Kumbaro u shpreh:
“Është thelbësore të ruajmë standarde të larta në shërbime, pastërti dhe mikpritje, në mënyrë që të përmirësojmë përvojën turistike dhe të forcojmë imazhin e Vlorës si një destinacion elitar.”
Nga ana e tij, kryebashkiaku Ermal Dredha garantoi angazhimin e plotë të strukturave vendore për menaxhimin sa më të mirë të sezonit, duke ftuar qytetarët dhe bizneset të bashkëpunojnë për një qytet sa më të pastër dhe mikpritës.
Kryebashkiaku Dredha deklaroi:
“Jemi të përkushtuar të ofrojmë një sezon turistik të sigurt, të rregullt dhe të suksesshëm për të gjithë pushuesit që zgjedhin Vlorën.”
Vizita në terren vjen si një sinjal i qartë për rëndësinë që i kushtohet qytetit bregdetar në hartën turistike kombëtare. Institucionet qëndrore dhe ato vendore premtojnë bashkëpunim të vazhdueshëm për të siguruar një sezon veror me standarde të larta dhe për të përmirësuar përvojën e mijëra pushuesve.
Armandi Xhelilaj është gazetar me përvojë të gjatë në median vizive dhe të shkruar, me fokus në raportimin nga terreni dhe trajtimin e problematikave sociale e komunitare. Me një formim akademik në Gazetari-Komunikim dhe eksperiencë në televizione ai ka dëshmuar profesionalizëm dhe angazhim të vazhdueshëm në fushën e informimit.
Komente