Vlorë, korrik 2025 – Një aksion ndërgjegjësimi për një qytet më të pastër po zhvillohet prej dy ditësh në qytetin e Vlorës, me angazhim maksimal të Task Forcës së ngritur enkas për lirimin e hapësirave publike dhe pastrimin e zonave urbane e natyrore.
Gjatë natës dhe deri në orët e para të mëngjesit, janë larguar të gjitha automjetet që kishin zënë në mënyrë të paligjshme hapësira publike në qytet, duke liruar rrugëkalimet dhe trotuaret për qytetarët dhe turistët.
Në vijim të këtij aksioni, që në mëngjesin e së dielës, janë intensifikuar punimet për pastrimin e zonave të ndryshme të qytetit, me fokus të veçantë në Pyllin e Sodës, një nga zonat më të rëndësishme natyrore dhe rekreative të Vlorës.
Në aksion janë përfshirë të gjitha institucionet në varësi të Bashkisë së Vlorës, ndërsa procesi është ndjekur nga afër edhe nga Ministri i Mbrojtjes dhe deputeti i zonës, Pirro Vengu, si dhe nga kryetari i Bashkisë Vlorë, Ermal Dredha.
Kryebashkiaku Dredha deklaroi se ky është vetëm fillimi i një nisme që do të shtrihet në të gjithë territorin e qytetit:
“Ky është një aksion ndërgjegjësues për një Vlorë më të pastër, për lirimin e hapësirave që i përkasin qytetarëve dhe për rritjen e cilësisë së sezonit turistik. Nuk do të ketë pushim për strukturat tona, jemi të angazhuar maksimalisht.”
Krahas Pyllit të Sodës, pastrimi është shtrirë edhe në zona të tjera brenda qytetit, me synim jo vetëm përmirësimin e imazhit të Vlorës, por edhe për të nxitur qytetarët të jenë më të ndërgjegjshëm ndaj mjedisit.
Komente