Vlorë - Lirohet hapësira publike e zënë në mënyrë të paligjshme, procedohen dy persona

Vlorë - Lirohet hapësira publike e zënë në mënyrë të paligjshme, procedohen dy persona

Një hapësirë publike e zënë në mënyrë të paligjshme në lagjen “10 Korriku”, në zonën e njohur si ish “Shkolla e Marinës”, është liruar nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë në bashkëpunim me Policinë Bashkiake.

Gjatë kontrolleve në terren, u evidentua një rast ku në hapësirën publike ishin vendosur tabela dhe trarë elektrikë, duke e kthyer atë në një parkim privat kundrejt pagesës, në kundërshtim me ligjin. Si rezultat, janë marrë masa për të liruar zonën dhe janë larguar automjetet e parkuara në mënyrë të paligjshme me anë të karrotrecit.

Në përfundim të veprimeve procedurale, është nisur procedimi penal ndaj shtetasit R. F., 44 vjeç, banues në Vlorë, i dyshuar për veprat penale “Pushtimi i tokës” dhe “Fshehja e të ardhurave”.

Po ashtu, është proceduar penalisht edhe drejtori i Policisë Bashkiake Vlorë, E. I., 30 vjeç, i dyshuar për veprën penale “Shpërdorim detyre”, pasi nuk ka vepruar për të ndaluar këtë rast të paligjshëm.

Policia e Vlorës deklaron se do të vijojë kontrollet për të garantuar përdorimin e ligjshëm të hapësirave publike dhe u bën thirrje qytetarëve të denoncojnë çdo rast të abuzimit në numrin pa pagesë 112.

Lajmi nga: Armand Xhelili
Armand Xhelili

Armand Xhelili

Armandi Xhelilaj është gazetar me përvojë të gjatë në median vizive dhe të shkruar, me fokus në raportimin nga terreni dhe trajtimin e problematikave sociale e komunitare. Me një formim akademik në Gazetari-Komunikim dhe eksperiencë në televizione ai ka dëshmuar profesionalizëm dhe angazhim të vazhdueshëm në fushën e informimit.

Komente

-