Ndërsa sezoni turistik ka hyrë në kulmin e tij dhe mijëra pushues vendas e të huaj kanë mbërritur në bregdetin e Vlorës, situata e sigurisë në plazhe mbetet shqetësuese. Përgjatë gjithë vijës bregdetare, kullat e vrojtimit janë bosh, ndërsa mungesa e vrojtuesve të plazhit po rrit ndjeshëm pasigurinë në zonat e frekuentuara.
Pavarësisht se ligji i detyron bashkitë dhe subjektet private që të garantojnë praninë e vrojtuesve në hapësirat publike dhe private të plazheve, Bashkia e Vlorës nuk ka siguruar deri më tani një shërbim funksional të vrojtimit. Në të njëjtën situatë ndodhen edhe shumë nga bizneset private buzë detit, të cilat nuk kanë të punësuar roje bregdetare.
Vitet e fundit, vrojtuesit e angazhuar nga subjektet private mbulonin pjesërisht edhe zonat publike, por këtë sezon mungesa është thuajse totale, duke e lënë sigurinë e pushuesve në mëshirë të fatit – veçanërisht në ditët me fluks të lartë dhe në segmentet e detit me thellësi të papritur.
Qytetarët dhe pushuesit i bëjnë thirrje institucioneve për ndërhyrje të menjëhershme, duke kërkuar që siguria në plazhe të mos lihet në harresë. Sipas tyre, është e papranueshme që në një qytet turistik si Vlora, me rritje të vazhdueshme të numrit të vizitorëve, të mungojë ky element bazë i shërbimit dhe i parandalimit të incidenteve në det.
BluTV do të vijojë të ndjekë nga afër situatën në terren dhe të sjellë reagimet e institucioneve përgjegjëse.
Ariola është një gazetare e re dhe energjike në ekipin e Blu TV, e njohur për qasjen e saj dinamike ndaj lajmit dhe pasionin për gazetarinë terreni. Ajo sjell një zë të freskët dhe angazhim të vazhdueshëm në pasqyrimin e problematikave sociale dhe zhvillimeve aktuale, duke qenë afër komunitetit dhe duke raportuar me saktësi e profesionalizëm.
Komente