Policia e Vlorës ka finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “MATËSI”, në kuadër të goditjes së korrupsionit dhe shpërdorimit të detyrës. Operacioni u zhvillua nga Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në bashkëpunim me Seksionin për Mbështetjen Operacionale të Hetimit, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Vlorës.
Në kuadër të këtij operacioni u arrestua në flagrancë shtetasi M. S., 35 vjeç, me detyrë shef ekipi për lexuesit e matësave të energjisë elektrike në OSSH Vlorë, i cili u kap duke marrë 100 euro ryshfet nga një subjekt privat. Paratë dyshohet se ishin marrë me qëllim favorizimin për pagesën e energjisë elektrike përmes ndërhyrjes në matësin elektrik.
Gjatë ndërhyrjes u vu në pranga edhe L. H., 42 vjeç, i cili shoqëronte punonjësin e OSSH-së në momentin e aktit korruptiv. Ky shtetas kishte thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, vendosur për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Gjatë operacionit u sekuestruan 100 euro, 2 celularë dhe 1 automjet në cilësinë e provës materiale.
Policia bën me dije se, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon puna për zbardhjen e rasteve të tjera të mundshme dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal.
Armandi Xhelilaj është gazetar me përvojë të gjatë në median vizive dhe të shkruar, me fokus në raportimin nga terreni dhe trajtimin e problematikave sociale e komunitare. Me një formim akademik në Gazetari-Komunikim dhe eksperiencë në televizione ai ka dëshmuar profesionalizëm dhe angazhim të vazhdueshëm në fushën e informimit.
Komente