Një konflikt i dhunshëm u parandalua në kohë nga ndërhyrja e menjëhershme e Forcës së Posaçme “Shqiponja” në qytetin e Vlorës. Policia vuri në pranga një 36-vjeçar që kishte shkelur masën e sigurisë “arrest në shtëpi” dhe kishte kanosur një person me thikë.
Ngjarja ndodhi në lagjen “Uji i Ftohtë”, ku shtetasi A. Ç., 36 vjeç, banues në lagjen “Osman Haxhiu”, pas një konflikti për motive të dobëta, ka kërcënuar me armë të ftohtë (thikë) shtetasin A. M., 35 vjeç, banues në lagjen “Partizani”.
Falë ndërhyrjes profesionale të forcave “Shqiponja”, situata u vu menjëherë nën kontroll duke shmangur pasoja të mundshme për jetën dhe sigurinë publike.
Nga verifikimet e kryera, rezultoi se A. Ç. kishte thyer masën e sigurisë “arrest në shtëpi” të vendosur nga Gjykata e Juridiksionit të Përgjithshëm në Tiranë, për veprën penale “Vjedhja”.
Pas veprimeve procedurale, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Vlorë arrestuan në flagrancë 36-vjeçarin, i cili tashmë përballet me tre akuza: “Kanosja”, “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit” dhe “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta”.
Materialet iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë për vijimin e procedurave ligjore.
Armandi Xhelilaj është gazetar me përvojë të gjatë në median vizive dhe të shkruar, me fokus në raportimin nga terreni dhe trajtimin e problematikave sociale e komunitare. Me një formim akademik në Gazetari-Komunikim dhe eksperiencë në televizione ai ka dëshmuar profesionalizëm dhe angazhim të vazhdueshëm në fushën e informimit.
Komente