Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë ka vijuar punën për evidentimin dhe ndëshkimin e veprave penale në qarqet Vlorë, Himarë, Sarandë dhe Selenicë, duke ndërmarrë një sërë masash ligjore ndaj shtetasve të përfshirë në ngjarje të ndryshme.
Në Himarë, specialistët për Hetimin e Krimeve proceduan penalisht shtetasin Dh. B., 75 vjeç, pasi më datë 21 qershor, në zonën e quajtur “Pllaqeri”, ndezi zjarr për të pastruar parcelën e tij me ullinj, por nga pakujdesia, flakët dolën jashtë kontrollit. Si pasojë u dogjën pjesërisht rreth 70 rrënjë ulliri dhe një sipërfaqe kullote. Ai akuzohet për “Shkatërrimin e pronës nga pakujdesia” dhe “Shkatërrimin me zjarr të pyjeve dhe mjedisit pyjor”.
Në Sarandë, u arrestua në flagrancë një shtetase filipineze, L. C., 46 vjeçe, pas kallëzimit të shtetasit A. D., i cili pretendon se kjo shtetase, gjatë punës si pastruese në banesën e tij, ka keqtrajtuar djalin e tij të mitur.
Ndërkohë në fshatin Trevllazër të Vlorës, është proceduar penalisht shtetasi A. M., 63 vjeç, pasi ka ushtruar dhunë fizike ndaj xhaxhait të tij. Ai gjithashtu ka bërë një kallëzim të rremë në sallën operative të DVP Vlorë, duke pretenduar se xhaxhai e kishte kërcënuar me armë gjahu.
Në Selenicë, një incident ndodhi në një punishte, ku shtetasi M. H., 48 vjeç, dyshohet se gjatë punës me frezë ka shkaktuar aksidentalisht zjarr në ambientet e punishtes së tij. Si pasojë, ai është dëmtuar lehtë dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Në fushën e sigurisë rrugore, janë marrë masa ndaj dy drejtuesve të mjeteve:
Është arrestuar shtetasi O. I., 27 vjeç, nga Kukësi, i cili, duke drejtuar automjetin në gjendje të dehur në aksin Sarandë–Ksamil, ka humbur kontrollin dhe ka goditur barrierat mbrojtëse të rrugës.
Është proceduar penalisht shtetasi I. B., 48 vjeç, banues në Himarë, i cili dyshohet se drejtonte një motomjet pa leje drejtimi dhe është përfshirë në një aksident me dëme materiale.
Materialet për të gjitha rastet janë referuar në Prokuroritë përkatëse për veprime të mëtejshme.
Armandi Xhelilaj është gazetar me përvojë të gjatë në median vizive dhe të shkruar, me fokus në raportimin nga terreni dhe trajtimin e problematikave sociale e komunitare. Me një formim akademik në Gazetari-Komunikim dhe eksperiencë në televizione ai ka dëshmuar profesionalizëm dhe angazhim të vazhdueshëm në fushën e informimit.
Komente