Në qytetin e Vlorës ka nisur një tjetër aksion për lirimin e hapësirave publike, këtë herë i përqendruar në shëtitoren “Lungomare”, një nga zonat më të frekuentuara gjatë sezonit turistik.
Që prej mbrëmjes së së premtes, ka nisur largimi i tavolinave dhe karrigeve të vendosura nga subjektet private përgjatë shëtitores. Bizneseve u është bërë thirrje paraprake për largimin vullnetar të objekteve, përmes një njoftimi zyrtar.
Policia Bashkiake ndërhyri mëngjesin e kësaj të shtune, për të vijuar me zbatimin e vendimit.
Edhe pse bizneset kanë ushtruar aktivitetin e tyre me leje të rregullt dhe objektet janë vendosur me autorizim nga bashkia, autoritetet kanë anuluar lejet ekzistuese, duke kërkuar largimin e menjëhershëm të strukturave nga hapësira publike.
Aksioni vjen në kuadër të rregullimit dhe lirimit të shëtitores për qarkullimin e lirë të qytetarëve dhe pushuesve, ndërsa pritet të shtrihet edhe në zona të tjera të qytetit gjatë ditëve në vijim.
Armandi Xhelilaj është gazetar me përvojë të gjatë në median vizive dhe të shkruar, me fokus në raportimin nga terreni dhe trajtimin e problematikave sociale e komunitare. Me një formim akademik në Gazetari-Komunikim dhe eksperiencë në televizione ai ka dëshmuar profesionalizëm dhe angazhim të vazhdueshëm në fushën e informimit.
Komente