Policia Bashkiake e Vlorës, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, ka ndërmarrë një aksion në zonat turistike të Rradhimës dhe Orikumit, me qëllim lirimin e hapësirave publike të zaptuara në mënyrë të paligjshme dhe kontrollin e subjekteve që shfrytëzojnë vijën bregdetare pa dokumentacion të rregullt.
Në orët e para të mëngjesit, efektivët ndërhynë në disa zona ku u konstatuan shezlongë, çadra dhe struktura të përkohshme të vendosura pa leje. Subjektet që rezultuan pa kontratë apo në kundërshtim me ligjin janë paralajmëruar ose proceduar sipas parashikimeve ligjore.
Autoritetet njoftojnë se kontrolle të tilla do të vijojnë përgjatë gjithë vijës bregdetare të Vlorës, për të garantuar akses të lirë për pushuesit dhe për të ndalur çdo abuzim me hapësirat publike.
Në prag të sezonit turistik, Bashkia Vlorë dhe Policia e Shtetit theksojnë se nuk do të tolerohet asnjë zaptim i paligjshëm, duke e konsideruar menaxhimin korrekt të bregdetit një prioritet për mirëpritjen e turistëve dhe respektimin e ligjit.
Komente