Vlora pa ujë të pijshëm prej një muaji – Qytetarët: Situatë e papranueshme në kulmin e verës

Vlora pa ujë të pijshëm prej një muaji – Qytetarët: Situatë e papranueshme në kulmin e verës

Prej më shumë se një muaji, qyteti i Vlorës po përballet me mungesë të vazhdueshme të ujit të pijshëm, një problem që ka prekur pjesën më të madhe të zonave të banuara. Qytetarët shprehen të indinjuar, veçanërisht në këto ditë të nxehta, kur nevoja për ujë është edhe më e madhe.

Lagje si “Kushtrimi”, “Pavarësia” dhe zona pranë ish-stacionit të trenit janë ndër më të prekura. Banorët thonë se, edhe kur uji vjen, është i papërshtatshëm për përdorim dhe mbetet vetëm për pak minuta, duke mos u dhënë as kohë të mbushin botet.

“Uji ose nuk vjen fare, ose vjen për pak dhe është i ndotur. Nuk kemi kohë as të mbushim bidonët,” – thonë qytetarët.

Referuar situatës, edhe Prefekti i Qarkut Vlorë, Plator Nesturi, ka reaguar. Në një deklaratë për mediat, ai e cilësoi problemin të njohur dhe shqetësues:
“Jemi në komunikim të vazhdueshëm me Bashkinë e Vlorës dhe Drejtorinë Rajonale të Ujësjellësit për të gjetur një zgjidhje sa më të shpejtë. Problemi është evident dhe kërkon ndërhyrje urgjente,” – tha prefekti Nesturi.

Sipas informacioneve nga Drejtoria Rajonale e Ujësjellësit, situata ka ardhur si pasojë e një gabimi në projektin e rrjetit të furnizimit me ujë, çka ka sjellë këtë ngerç teknik dhe mosfunksionimin normal të shpërndarjes në disa zona të qytetit.

Banorët kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme dhe zgjidhje konkrete, për të mos e përjetuar krizën e ujit në një kohë kur temperaturat janë gjithnjë e më të larta.

Lajmi nga: Elton Nika
Elton Nika

Elton Nika

Elton Nika është gazetar i njohur nga Vlora, me një karrierë të gjatë në raportimin e lajmeve lokale dhe kombëtare. Aktualisht, ai kontribuon në Blu TV me kronika nga terreni dhe emisione informuese.

Komente

-