Vlorë – Me nisjen e çdo sezoni turistik, duket se përsëritet e njëjta skemë: një valë komentesh denigruese dhe fushatash të organizuara në rrjetet sociale që synojnë të njollosin emrin e Vlorës. Por qytetarët e ndershëm të këtij qyteti, investitorët, profesionistët dhe të rinjtë që punojnë çdo ditë për ta ngritur Vlorën, refuzojnë të heshtin përballë kësaj padrejtësie.
“Fushatat kundër Vlorës do të dështojnë. Qyteti im është më i madh se ligësia juaj,” është mesazhi që përçojnë sot shumë qytetarë të revoltuar nga sulmet ndaj imazhit të qytetit.
Në rrjetet sociale qarkullojnë komente përçmuese, shpesh të mbushura me urrejtje politike, personale apo edhe zili, që në vend të pasqyrojnë realitetin, synojnë vetëm baltosjen.
Ndërkohë, Vlora e vërtetë është një tjetër histori. Një qytet që ka kaluar nga mungesa e infrastrukturës në standarde të reja bashkëkohore. Me rrugë të reja, investime në ujësjellës, sistem modern të menaxhimit të mbetjeve në Sherishtë dhe një rritje të ndjeshme të kapacitetit turistik, Vlora po përparon çdo ditë.
Nga dasmat e emigrantëve dikur, në turistët ndërkombëtarë sot – Vlora ka ndryshuar. Dhe ky ndryshim është i pakthyeshëm.
“Nuk ka qytet pa probleme, por askush nuk nxitohet të djegë imazhin e vet siç ndodh për Vlorën. Pse? Sepse Vlora shkëlqen. Dhe drita, siç dihet, tërheq hije,” thuhet në reagimin që ka marrë jehonë në rrjete.
Thirrja është e qartë: Vlora nuk ka nevojë për mëshirë, por për respekt. Për të mos e përdorur qytetin si armë hakmarrjeje politike apo personale. Për ta mbrojtur nga brenda dhe për ta promovuar me dinjitet jashtë.
Sepse Vlora është më shumë se një qytet – është krenari, identitet dhe frymë bashkimi. Dhe si e tillë, nuk e njollos dot askush.
Shkrimtare e pasionuar pas trashëgimisë kulturore dhe asaj jomateriale, e përkushtuar ndaj ruajtjes së tyre përmes metodave të drejtpërdrejta dhe të tërthorta. E interesuar për zhvillimin teknologjik dhe ndikimin që ai ka në mbrojtjen dhe promovimin e trashëgimisë.
Komente