Rreth 100 sportistë të vegjël nga e gjithë Shqipëria u bënë pjesë e turneut veror të mundjes për moshat U9 dhe U12, që u zhvillua këtë të shtunë në Pallatin e Sportit “Flamurtari” në Vlorë. Aktiviteti kishte në fokus zbulimin dhe promovimin e talenteve të rinj në sportin e mundjes, duke nxitur njëkohësisht përfshirjen e fëmijëve dhe të rinjve në sport.
I pranishëm në këtë event ishte edhe Presidenti i Federatës Shqiptare të Mundjes, Sait Prizreni, i cili falenderoi Bashkinë e Vlorës dhe klubin shumësportësh “Flamurtari” për mbështetjen. Ai theksoi rëndësinë e organizimit të një aktiviteti të tillë, që zhvillohet për herë të parë në qytetin bregdetar, por që ka ambicien të kthehet në një traditë vjetore.
“Këta fëmijë janë e ardhmja e mundjes shqiptare. Qëllimi ynë është që përmes këtyre turneve të rrisim bazën e sportistëve dhe të krijojmë një kulturë të qëndrueshme sportive që në moshë të vogël”, u shpreh Prizreni.
Vlora, një qytet me traditë të pasur sportive, është përzgjedhur si mikpritëse e këtij aktiviteti pikërisht për rolin dhe kontributin e saj në sportin shqiptar. Turneu i mundjes për moshat e vogla synohet të bëhet një ndalesë e përvitshme në kalendarin sportiv, duke fuqizuar jo vetëm garën, por edhe bashkëpunimin dhe pasionin për sportin në moshë të re.
Armandi Xhelilaj është gazetar me përvojë të gjatë në median vizive dhe të shkruar, me fokus në raportimin nga terreni dhe trajtimin e problematikave sociale e komunitare. Me një formim akademik në Gazetari-Komunikim dhe eksperiencë në televizione ai ka dëshmuar profesionalizëm dhe angazhim të vazhdueshëm në fushën e informimit.
Komente