Vlora mirëpret takimin “ZHYTJE NË TRASHËGIMI”: Turizmi nënujore, një e ardhme e re për Gjirin e Vlorës
Më 30 qershor 2025, në qytetin bregdetar të Vlorës u zhvillua takimi ndërkombëtar B2B me temë “ ZHYTJE NË TRASHËGIMI – Ndërtimi i një të ardhmeje për Turizmin Nënujore në Gjirin e Vlorës”, një nismë e veçantë që synon të fuqizojë bashkëpunimin ndërmjet institucioneve, operatorëve turistikë dhe aktorëve të fushës së kulturës e mjedisit për zhvillimin e një oferte turistike inovative, të qëndrueshme dhe të bazuar në vlerat e trashëgimisë nënujore.
Aktiviteti u organizua nga Bashkia e Vlorës në bashkëpunim me institucione kombëtare dhe ndërkombëtare, dhe solli në një tryezë të përbashkët aktorë nga Shqipëria, Italia dhe Mali i Zi. Fjalën përshëndetëse e mbajti kryetari i Bashkisë Vlorë, z. Ermal Dredha, i cili theksoi rëndësinë e zhvillimit të turizmit nënujore si një aset i pashfrytëzuar plotësisht për rajonin tonë.
Në dy panele tematike u trajtuan tema si: potenciali i zonave të mbrojtura për turizëm të qëndrueshëm, eksperiencat kreative të zhytjes në jug të Shqipërisë, projektet e restaurimit të biodiversitetit si ai i “rif bolls” në Porto Palermo, teknologjitë digjitale për promovimin e trashëgimisë nënujore, si dhe sfidat dhe mundësitë për zhvillimin e një zinxhiri të qëndrueshëm ekonomik të lidhur me kulturën dhe turizmin.
Përfaqësues të UNDP Albania, Celim Albania, Qendra Kombëtare e Zhytyjes, Marina Shqiptare, Agjencia e Zonave të Mbrojtura, si dhe përfaqësues nga Italia dhe Mali i Zi, ndanë praktikat më të mira dhe projektet në zhvillim që synojnë promovimin dhe mbrojtjen e trashëgimisë kulturore nënujore.
Pjesë e programit ishte edhe një aktivitet praktik snorkeling në Dhërmi, i cili ofroi pjesëmarrësve përvojë direkte me bukuritë e botës nënujore të Rivierës Shqiptare, në bashkëpunim me Qendrat e Zhytyjes “Albanian Adventure” dhe “Oazi Blu”.
Në përmbyllje të ditës, u zhvillua një panel diskutimi i hapur për krijimin e mundësive konkrete bashkëpunimi mes operatorëve turistikë dhe institucioneve, si dhe një darkë pune e bashkepunimi me përfaqësues të bashkisë dhe partnerë të projektit, me synim nxitjen e partneriteteve të reja për zhvillimin e turizmit alternativ dhe elitar në rajonin e Vlorës.
Ky aktivitet shënon një hap të rëndësishëm drejt një qasjeje të re për turizmin në Shqipëri, ku natyra, historia dhe teknologjia ndërthuren për të ndërtuar një të ardhme të qëndrueshme ekonomike dhe mjedisore për brezat e ardhshëm.
Adriatik Golemaj, Drejtor Ekzekutiv i televizionit, ka 28 vite përvojë në media lokale dhe ndërkombëtare. Ka punuar si gazetar, redaktor dhe prezantues, si dhe si ndërmjetës për organizata mediatike të huaja. Ka drejtuar projekte komunikimi me publikun dhe median për kompani ndërkombëtare. Në rolin e tij aktual, ai garanton funksionimin e televizionit dhe përfaqëson institucionin në bashkëpunime strategjike.
Komente