Vlora/ Këmbësorët në rrezik -  Mungesë sinjalistike dhe trotuare të bllokuara

Vlora/ Këmbësorët në rrezik - Mungesë sinjalistike dhe trotuare të bllokuara

Siguria rrugore për këmbësorët vijon të jetë një shqetësim serioz në qytetin bregdetar të Vlorës. Banorët shprehen të shqetësuar për mungesën e infrastrukturës bazë dhe sjelljen e pakujdesshme të drejtuesve të mjeteve, që shpeshherë i vendosin në rrezik jetën.

Ndër problematikat më të përmendura nga qytetarët janë:

mungesa e kalimeve të sigurta, veçanërisht pranë shkollave dhe zonave të banuara;

parkimi i automjeteve mbi trotuare, duke detyruar këmbësorët të ecin në rrugë;

mungesa e ndriçimit publik në orët e mbrëmjes;

sinjalistika e dobët rrugore dhe mungesa e një pranie të rregullt të policisë rrugore.

“Shpesh nuk dimë nga të kalojmë. Makinat janë të parkuara mbi trotuar, fëmijët rrezikojnë çdo ditë kur dalin nga shkolla” – shprehen banorët e Vlorës, të shqetësuar për mungesën e kushteve të sigurisë për këmbësorët në rrugët e qytetit.

Por sipas tyre, faji nuk është vetëm i institucioneve. Qytetarët pranojnë se edhe sjellja e pakujdesshme e vetë këmbësorëve ndikon në rrezikshmërinë në rrugë.
“Duhet të ndërgjegjësohemi të gjithë. Nuk mund të presim vetëm nga shteti edhe ne kemi rol në sigurinë tonë”, theksojnë ata duke apeluar për më shumë përgjegjësi individuale.

Ndërkohë, i bëjnë thirrje institucioneve për ndërhyrje të menjëhershme në përmirësimin e infrastrukturës rrugore, sinjalistikës dhe kontrollit nga ana e policisë.
Ecja në qytet, sipas tyre, nuk duhet të jetë më një rrezik i përditshëm, por një e drejtë e sigurt për të gjithë.

Lajmi nga: Ariola Hasanaj
Ariola Hasanaj

Ariola Hasanaj

Ariola është një gazetare e re dhe energjike në ekipin e Blu TV, e njohur për qasjen e saj dinamike ndaj lajmit dhe pasionin për gazetarinë terreni. Ajo sjell një zë të freskët dhe angazhim të vazhdueshëm në pasqyrimin e problematikave sociale dhe zhvillimeve aktuale, duke qenë afër komunitetit dhe duke raportuar me saktësi e profesionalizëm.

Komente

-