Dy drejtues automjetesh janë gjobitur nga Policia Rrugore e Vlorës, pasi u konstatuan duke kryer parakalime të rrezikshme në zona turistike, duke rrezikuar sigurinë e qarkullimit.
Në rastin e parë, pas një denoncimi për një automjet që qarkullonte me shpejtësi dhe në shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor, shërbimet e Policisë Rrugore identifikuan një automjet tip “Audi”, në pronësi të një subjekti privat. Ky mjet kishte kryer parakalim në një kthesë me fushëpamje të kufizuar, duke hyrë në sens të kundërt në aksin Dhërmi–Himarë. Për këtë shkelje, drejtuesit iu vendos një gjobë prej 52 mijë lekësh, në zbatim të dispozitave të Kodit Rrugor.
Në rastin e dytë, pas një denoncimi për një taksi që kishte kryer parakalim të gabuar, Policia Rrugore e Sarandës identifikoi drejtuesin, i cili kishte hyrë në sens të kundërt në aksin Sarandë–Ksamil. Për këtë shkelje, u vendos një masë administrative prej 40 mijë lekësh.
Policia Rrugore apelon ndaj të gjithë përdoruesve të rrugës që të respektojnë rregullat e qarkullimit, veçanërisht në zonat turistike ku fluksi i automjeteve është i lartë gjatë sezonit veror, për të garantuar sigurinë e jetës dhe të qarkullimit.
Armandi Xhelilaj është gazetar me përvojë të gjatë në median vizive dhe të shkruar, me fokus në raportimin nga terreni dhe trajtimin e problematikave sociale e komunitare. Me një formim akademik në Gazetari-Komunikim dhe eksperiencë në televizione ai ka dëshmuar profesionalizëm dhe angazhim të vazhdueshëm në fushën e informimit.
Komente