Vlora firmos Kartën Evropiane për Barazinë Gjinore – Angazhim i qartë për përfshirje dhe zhvillim të qëndrueshëm

Vlora firmos Kartën Evropiane për Barazinë Gjinore – Angazhim i qartë për përfshirje dhe zhvillim të qëndrueshëm

Bashkia e Vlorës ka ndërmarrë një hap domethënës në rrugën drejt barazisë gjinore, duke nënshkruar zyrtarisht Kartën Evropiane për Barazinë e Grave dhe Burrave në Jetën Vendore. Ceremonia u zhvillua më 23 qershor, në praninë e përfaqësuesve vendorë, organizatave të shoqërisë civile, universiteteve dhe institucioneve publike.

Përfaqësuesi i UN Women në Shqipëri, Michele Ribotta, vlerësoi këtë angazhim si një mundësi për të avancuar përfshirjen e grave dhe burrave në jetën e komunitetit.
“Duke fuqizuar ekonomikisht gratë, duke rritur pjesëmarrjen e tyre në vendimmarrje dhe qasjen në shërbime, kjo Kartë përbën një udhërrëfyes të rëndësishëm. Plani Lokal i Veprimit që do të hartohet mbi bazën e saj do të ndihmojë Bashkinë të vlerësojë investimet e nevojshme financiare për ta bërë barazinë një realitet të prekshëm në rajonin e Vlorës,” deklaroi Ribotta, duke theksuar se mbështetja e UN Women do të vijojë në kuadër të programit “BE për Barazinë Gjinore”.

Edhe kryetari i Bashkisë së Vlorës, Ermal Dredha, nënvizoi rëndësinë që institucioni i jep barazisë gjinore.
“Në vite kemi forcuar angazhimin tonë për të promovuar barazinë dhe për të ngritur zërin ndaj sfidave me të cilat përballen gratë dhe vajzat në komunitetin tonë,” tha ai në fjalën e tij.

Nga ana tjetër, Kryetarja e Këshillit Bashkiak, Elpiniqi Merkuri, e cilësoi këtë nënshkrim si një hap drejt një qeverisjeje më gjithëpërfshirëse.
“Barazia gjinore është tashmë pjesë e diskursit publik dhe integrimi i saj në politikat vendore përforcon një model qeverisës më progresiv,” u shpreh Merkuri.

Me këtë nismë, Bashkia Vlorë i bashkohet një rrjeti prej mbi 2,000 bashkish në 36 vende evropiane – përfshirë 19 bashki shqiptare – që kanë ndërmarrë angazhime konkrete për të përforcuar rolin e grave në jetën publike dhe institucionale.

Hapi i radhës do të jetë hartimi dhe miratimi i Planit Vendor të Veprimit për Barazinë Gjinore, i cili do të bazohet në praktikat më të mira evropiane, duke garantuar burime të dedikuara, transparencë dhe një përkushtim të qëndrueshëm për barazi reale gjinore në qytetin e Vlorës.

Lajmi nga: BLU TV Reports

Komente

-