Vlora ende pa ujë të pijshëm – 100 familje në lagjen "Kushtrimi" pa asnjë zgjidhje konkrete

Vlora ende pa ujë të pijshëm – 100 familje në lagjen "Kushtrimi" pa asnjë zgjidhje konkrete

Mungesa e ujit të pijshëm vijon të mbetet një problem i thellë për banorët e qytetit të Vlorës, ku rreth 100 familje në lagjen "Kushtrimi" përballen prej ditësh me mungesën totale të furnizimit me ujë. Pavarësisht ankesave të përsëritura, zyrtarët e ujësjellësit nuk kanë ofruar ende asnjë zgjidhje konkrete.

Banorët janë të detyruar të blejnë ujë për nevojat ditore, ndërsa situata po bëhet çdo ditë e më e rëndë, sidomos për të moshuarit dhe të sëmurët.

“Jam e sëmurë, më është dashur të marr edhe makinë për të shkuar të votoj. Na lutën për votën, e ua dhamë. Tani na kanë harruar dhe na lanë pa ujë”, – shprehet me revoltë një nga banoret e zonës.

Sipas banorëve, përpjekjet për të marrë informacion dhe zgjidhje pranë zyrave të ujësjellësit kanë rezultuar të kota. Ata thonë se kanë trokitur disa herë në institucionin përgjegjës, por gjithçka që kanë marrë në kthim janë premtime dhe pritje të pafundme.

“Na thonë ‘prisni’, por asnjë nuk na jep një datë, një arsye, një shpresë. Kemi mbetur pa ujë, pa ndihmë, pa përgjigje”, – thotë një tjetër banor.

Situata është bërë e padurueshme për komunitetin, i cili kërkon ndërhyrje urgjente nga autoritetet për të garantuar të drejtën bazë të jetesës: furnizimin me ujë të pijshëm.

Banorët paralajmërojnë se, nëse nuk merren masa të menjëhershme, do të organizojnë protesta për të bërë të dëgjohet zëri i tyre.

Lajmi nga: BLU TV Reports

Komente

-