Vlora/ Dy muaj pa ujë të pijshëm, banorët e lagjes “11 Janari” në ankth: “Jemi në një situatë të vështirë”

Vlora/ Dy muaj pa ujë të pijshëm, banorët e lagjes “11 Janari” në ankth: “Jemi në një situatë të vështirë”

Rreth 100 familje në lagjen “11 Janari” në Vlorë vijojnë prej dy muajsh pa furnizim me ujë të pijshëm në çezma.
Banorët e kësaj zone thonë se situata është bërë e papërballueshme dhe se po përballen çdo ditë me vështirësi për të përmbushur nevojat më bazë.

Të detyruar të blejnë ujë me botë, ata përballen me kosto të larta ekonomike dhe një ndjesi pasigurie për të ardhmen.
“Kemi dy muaj pa ujë. Detyrohemi që ta blejmë. Jemi në një situatë të vështirë,” thotë një prej banorëve për BluTV.

Banorët kanë ngritur disa herë shqetësimin pranë ujësjellësit të qytetit. Madje, sipas tyre, në lagje ka mbërritur edhe drejtori i ndërmarrjes për të parë nga afër situatën.
Megjithatë, pavarësisht premtimeve të dhëna, problemi vijon të mbetet i pazgjidhur.

Ata kërkojnë ndërhyrje urgjente nga institucionet përkatëse, duke theksuar se mungesa e ujit të pijshëm po ndikon drejtpërdrejt në shëndetin dhe jetesën e tyre të përditshme.

“Pa një afat të qartë për rikthimin e ujit, shqetësimi dhe pakënaqësia jonë vetëm sa rritet,” theksojnë ata.

Lajmi nga: BLU TV Reports

Komente

-