Vjosa po ndotet nga nafta, shteti në heshtje – Një tjetër krim ndaj natyrës shqiptare

Vjosa po ndotet nga nafta, shteti në heshtje – Një tjetër krim ndaj natyrës shqiptare

Lumi Vjosë, një nga pasuritë më të çmuara natyrore të Shqipërisë dhe i vetmi lumë i madh në Europë që rrjedh ende i lirë, po përballet me një katastrofë mjedisore të heshtur. Në zonën e Gorrishtit, nafta bruto dhe uji teknologjik i përzier me kimikate po derdhen prej ditësh në lumë, duke helmuar ekosistemin dhe kërcënuar shëndetin publik, ndërkohë që institucionet reagojnë vetëm pasi dëmi është bërë i dukshëm.

Sipas raportimeve nga vendi i ngjarjes dhe dëshmive të banorëve, ndotja nuk është një incident i izoluar, por një praktikë e përsëritur prej vitesh, e toleruar nga autoritetet përgjegjëse. Puset e Gorrishtit, nën administrimin e Albpetrolit, janë kthyer në burim të ndotjes, ndërsa institucionet mjedisore, energjetike dhe vendore kanë mbyllur sytë përballë shkeljeve flagrante të ligjit.

Inspektorati i Mjedisit ka pezulluar përkohësisht punimet në Gorrisht, por sipas ekspertëve dhe aktivistëve, ndotja ka ndodhur prej kohësh dhe dëmi i shkaktuar është i rëndë dhe i pakthyeshëm. Nga procesi i dekantimit të naftës – ku ndahet nafta nga uji teknologjik – ky i fundit nuk rikthehet nëntokë siç duhet, por derdhet në mjedis, për shkak të kostove të larta dhe mungesës së kontrollit institucional.

Policia ka referuar në Prokurori një emër të vetëm, përgjegjësin e sektorit të dekantimit Përparim Memaj, por ky nuk është një problem individual. Ky është sistemi – një zinxhir lejimesh, aprovimesh të heshtura dhe mungesë totale transparence nga Albpetroli, Ministria e Energjisë, Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore, strukturat e mjedisit dhe autoritetet lokale.

Ironikisht, Vjosa është tashmë e shpallur Park Kombëtar. Por çfarë vlere ka ky status nëse nga njëra anë e mbrojmë në letër, ndërsa nga ana tjetër e kthejmë në kanal nafte?

Kjo është më shumë se një çështje mjedisore. Është një krim i rëndë ekonomik, është një kërcënim për turizmin, një rrezik për shëndetin e qytetarëve. Sepse kur ndotet uji, helmohet toka, kafshët dhe vetë njeriu.

Pyetjet që ngrihen janë të qarta:

Kush ka dhënë lejet?

Kush ka firmosur?

Kush ka mbyllur sytë?

Kur do të ndalet ky shkatërrim?

Nëse ndotja e Vjosës tolerohet edhe sot, nesër do të jetë shumë vonë. Një lumë i vdekur nuk ringjallet. Dhe me të, humbet edhe shpresa për një Shqipëri natyrore, e pastër, e jetueshme dhe e denjë për të qenë pjesë e Europës që mbrojmë në fjalë, por e shkatërrojmë në praktikë.

Sot nevojitet veprim i menjëhershëm, masa të prekshme dhe ndëshkim real për përgjegjësit. Jo më letra, jo më premtime të pambajtura. Për Vjosën, për shëndetin e njerëzve, për të ardhmen e këtij vendi.

Lajmi nga: Armand Xhelili
Armand Xhelili

Armand Xhelili

Armandi Xhelilaj është gazetar me përvojë të gjatë në median vizive dhe të shkruar, me fokus në raportimin nga terreni dhe trajtimin e problematikave sociale e komunitare. Me një formim akademik në Gazetari-Komunikim dhe eksperiencë në televizione ai ka dëshmuar profesionalizëm dhe angazhim të vazhdueshëm në fushën e informimit.

Komente

-