Vjosa po helmohet, shteti po hesht – Hipokrizia e gjelbër dhe papërgjegjshmëria institucionale

Vjosa po helmohet, shteti po hesht – Hipokrizia e gjelbër dhe papërgjegjshmëria institucionale

Vjosa, e shpallur Park Kombëtar dhe promovuar si “mbretëresha e lumenjve të Evropës” po ndotet në mënyrë të vazhdueshme me mbetje nafte, hidrokarburesh dhe ujërash teknologjikë, ndërsa institucionet shqiptare shfaqin një qasje kontradiktore dhe shpesh herë indiferente.
Kryeministri Edi Rama njoftoi së fundmi hapjen e Zyrës së Administrimit të Parkut Kombëtar të Vjosës, duke e shoqërimin me pamje idilike të ujërave të kristalta. Por, ndërsa qeveria predikon mbrojtjen e natyrës, ajo hesht përballë denoncimeve të dokumentuara nga organizatat RiverWatch, EcoAlbania, Euronatur dhe Citizens.al, që tregojnë me pamje rrjedhje të naftës dhe mbetjeve të tjera drejt Vjosës nga vendburimi i Gorishtit.
Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit (IKMT), në një përgjigje zyrtare, pranon se nuk ka kryer asnjë inspektim mjedisor në zonat e Gorishtit dhe Selenicës për vitet 2024-2025. Madje, nuk ka vendosur asnjë masë ndaj Albpetrolit, duke u bazuar vetëm në deklarata të kompanisë se ndotja ka ndodhur nga mbetje historike të akumuluara në dekada.
E kundërta ndodh me Agjencinë Kombëtare të Mjedisit (AKM), e cila në dy vitet e fundit ka vendosur katër masa administrative ndëshkuese ndaj Albpetrolit për ndotje mjedisore të vazhdueshme, me një total prej rreth 50 mijë eurosh gjoba. Shkeljet lidhen me shkarkim ujërash të ndotura, trajtim të gabuar të mbetjeve të rrezikshme dhe mungesë dokumentacioni monitorimi.
Në një komunikim zyrtar për Blu TV , Albpetrol konfirmon se vetëm për vitin 2025 ka prodhuar 140.00 ton fluid, nga të cilat 110.000 ton janë ujë teknologjik dhe 30.000 ton naftë bruto. Sipas kompanisë, uji teknologjik evadohet përmes tubacioneve të mbyllura ose autobotëve drejt pikave të dekantimit dhe më pas injektohet në shtresë, në puset që ajo administron vetë.
Megjithatë, skemat teknologjike të tubacioneve, pikat e injektimit dhe specifikat teknike të puseve nuk bëhen publike, pasi konsiderohen dokumente të klasifikuara si “sekret shteteror”.
Në një shkresë zyrtare drejtuar drejtorit të Albpetrolit, z. Eltar Deda, Blu TV ka kërkuar informacione specifike mbi menaxhimin e ujërave teknologjikë, pikat e injektimit dhe kontratat me subjekte private. Blu ka ngritur gjithashtu pyetje mbi mbikëqyrjen e operacioneve të partnerëve koncesionarë dhe ka shprehur shqetësimin mbi mungesën e gjallesave në lumenjtë Gjanica dhe Seman, ku aroma e naftës është e përhershme.
Albpetrol përgjigjet se zbaton protokolle teknike dhe standarde mjedisore, por shprehet se nuk ka konstatuar shkelje të drejtpërdrejta nga kompanitë me të cilat bashkëpunon. Në të njëjtën kohë, për disa nga informacionet e kërkuara fshihet pas termit “informacion i klasifikuar”.
Që nga shpallja e Vjosës Park Kombëtar, propaganda e qeverisë ka theksuar angazhimin për mbrojtjen e saj. Por ndotja e vazhdueshme nga industria e naftës, qasja e papërgjegjshme e IKMT dhe mungesa e ndërhyrjeve nga Prokuroria dhe Ministria e Mjedisit tregojnë se ky status mbetet vetëm në letër.
Kjo situatë nuk është më thjesht çështje mjedisi. Ajo është dëshmi e mungesës së funksionimit institucional dhe e mungesës së vullnetit politik për të mbrojtur një nga pasuritë më të ralla natyrore të Evropës.
Prokuroria, Ministria e Mjedisit dhe vetë Albpetrol duhet të përballen me një hetim të plotë dhe të japin llogari para publikut. Heshtja nuk është zgjidhje. Vjosa ka nevojë për mbrojtje reale, jo për fjalë boshe.

Lajmi nga: Adriatik Golemaj
Adriatik Golemaj

Adriatik Golemaj

Adriatik Golemaj, Drejtor Ekzekutiv i televizionit, ka 28 vite përvojë në media lokale dhe ndërkombëtare. Ka punuar si gazetar, redaktor dhe prezantues, si dhe si ndërmjetës për organizata mediatike të huaja. Ka drejtuar projekte komunikimi me publikun dhe median për kompani ndërkombëtare. Në rolin e tij aktual, ai garanton funksionimin e televizionit dhe përfaqëson institucionin në bashkëpunime strategjike.

Komente

-