Qerret, Kavajë – Është shënuar fatkeqësisht viktima e parë e këtij sezoni turistik në bregdet. Një 73-vjeçar ka humbur jetën paraditen e sotme në plazhin e Qerretit, në rrethana që dyshohet se lidhen me një arrest kardiak.
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Shtetit, ngjarja ka ndodhur rreth orës 10:00. Viktima, shtetasi H. U., banues në Kavajë, kishte hyrë në det kur ka pësuar ndoshta një komplikacion kardiovaskular, çka ka rezultuar fatale për të.
“Rreth orës 10:00, në Qerret, dyshohet se ka pësuar arrest kardiak kur është futur në det dhe për pasojë ka humbur jetën, shtetasi H. U., 73 vjeç, banues në Kavajë. Grupi hetimor vijon punën për dokumentimin e shkakut të humbjes së jetës”, thuhet në njoftimin e policisë.
Autoritetet u bëjnë thirrje pushuesve, veçanërisht të moshuarve dhe atyre me probleme shëndetësore, të tregojnë kujdes gjatë frekuentimit të plazheve, për të shmangur rreziqet e mundshme që lidhen me temperaturat e larta dhe ndryshimet e papritura të gjendjes fizike.
Komente