Novoselë, 12 qershor – Temperaturat e larta të stinës së verës përbëjnë rrezik të shtuar për shëndetin e të moshuarve dhe fëmijëve, dy nga grupmoshat më të ndjeshme gjatë kësaj periudhe. Mjeku i Qendrës Shëndetësore të Novoselës, Arben Xhuveli, në një prononcim për Blu TV, thekson se veçanërisht të moshuarit me sëmundje kronike duhet të tregojnë kujdes të shtuar.
“Ekspozimi në diell, sidomos gjatë orëve të pikut, duhet të shmanget. Po ashtu, është e rëndësishme të konsumohet sa më shumë ujë dhe lëngje të freskëta,” tha Xhuveli, duke apeluar për një kujdes të veçantë në përballimin e ditëve të nxehta.
Një tjetër shqetësim i kësaj periudhe në zonën e Novoselës, sipas mjekut, janë pickimet nga insektet, të cilat shpesh kërkojnë trajtim të menjëhershëm mjekësor. “Në rastin e parë të një pickimi, qytetarët duhet të paraqiten menjëherë në qendrat shëndetësore për të marrë ndihmën e duhur dhe nëse është e nevojshme, të referohen për trajtim të specializuar,” theksoi ai.
Autoritetet shëndetësore këshillojnë qytetarët të ndjekin udhëzimet për mbrojtjen nga nxehtësia dhe për të qenë të kujdesshëm ndaj shenjave të para të dehidratimit, pickimeve apo shqetësimeve të tjera që lidhen me temperaturat ekstreme.
Vjola Murati është spikere dhe gazetare në Blu Televizion, me një formim akademik në Shkenca Sociale dhe Komunikim nga Universiteti i Tiranës. Ajo sjell në ekran profesionalizëm, ndjeshmëri dhe përkushtim ndaj realitetit të komunitetit vendas.
Komente