“Ngrohja e detit po zhduk peshkimin tradicional në Vlorë”

“Ngrohja e detit po zhduk peshkimin tradicional në Vlorë”

Me lindjen e diellit, peshkatari Viktor Kocaj nxori rrjetën nga deti në bordin e varkës së tij por pas një nate të gjatë në Adriatik, kapja ishte tepër e vogël për të ushqyer familjen e tij. Breza të tërë shqiptarësh kanë jetuar dhe janë ushqyer nga deti por Viktori frikësohet se mënyra e tij e jetesës në Gjirin e Vlorës po vjen drejt fundit, pasi ngrohja e ujërave po zvogëlon kapjet çdo vit.

“E humba betejën me detin. E doja shumë por ai më tradhtoi,” thotë babai i katër fëmijëve.

Ndërsa Europa po përjeton valën e parë të nxehtësisë së verës edhe temperaturat e detit po rriten. Deri në fund të qershorit, temperatura e detit pranë bregdetit shqiptar arriti në 25.5 gradë Celsius — 1.5 gradë më shumë se një vit më parë në të njëjtën periudhë.

“Fatkeqësisht më ka braktisur prej kohësh,” thotë 65-vjeçari duke treguar rrjetat thuajse bosh, teksa përgatitet për t’u kthyer në port.

Disa vite më parë ai ishte në gjendje të siguronte jetesën për familjen e tij ndërsa tani thotë se është rrënuar.

“Temperaturat në rritje kanë qenë goditje fatale për peshkun dhe për ne gjithashtu,” shton ai me lot në sy.

Peshku pothuajse është zhdukur
Në Vlorë, Viktori vlerëson se popullatat e peshkut kanë rënë me 70%. Situata nuk është më e mirë edhe jashtë Gjirit, ku edhe anijet më të mëdha po përballen me vështirësi ndërsa parashikimet për këtë sezon nuk janë optimiste.

Reshat Xhelilaj, drejtues i sektorit të peshkimit dhe akuakulturës në Vlorë, paralajmëroi për një verë më të nxehtë se ajo e vitit 2024, kur temperatura në det arriti deri në 30.5 gradë Celsius.

Viktori kujton se rreth pesë vjet më parë, kthehej me deri në 10 kilogramë merluc në ditë, peshk i mjaftueshëm për të mbajtur familjet e tij dhe të vëllait. Tani, pavarësisht se hedh rrjetat për kilometra të tërë dhe qëndron orë të tëra në det, rrallëherë kthehet me më shumë se dy kilogramë.

“Ata pothuajse janë zhdukur,” thotë ai për peshqit që dikur mbushnin rrjetat e tij.

Ndryshimet klimatike dhe peshkimi në rrezik
“Ngrohja klimatike është një faktor kryesor në rënien e popullatave të peshkut,” thotë Nexhip Hysolokaj, biolog në Universitetin Polis të Tiranës.

Temperaturat në rritje po e bëjnë të vështirë riprodhimin dhe rritjen e shumë organizmave detarë, sidomos atyre të përshtatur për ujëra më të ftohtë. Në vendin e tyre po shfaqen rreth një duzinë specie peshqish tropikalë nga oqeanet Indian dhe Paqësor, që po zëvendësojnë specie lokale të rëndësishme për zinxhirin ushqimor si sardelja, e kërcënuar me zhdukje.

Në rrjetat e Viktorit, për shembull, ka përfunduar edhe një peshk i rrezikshëm dhe helmues, luani i detit zakonisht i pranishëm në Karaibe.

“Fatkeqësisht për mua dhe për të, përfundoi në rrjetat e mia,” tregoi peshkatari.

Ky peshk është i ngrënshëm nëse përgatitet mirë dhe po zhvillohen fushata për të ndihmuar peshkatarët ta shndërrojnë këtë specie invazive në një alternativë fitimprurëse.

Kapiteni Baci Dyrmishi, kreu i asociacionit të peshkimit në Gjirin e Vlorës, paralajmëroi: “Ndryshimet klimatike kanë sjellë pasoja shkatërruese. Temperaturat po kalojnë parashikimet dhe ujërat po nxehen tepër.”

Ai shtoi se me pakësimin e kapjeve, po pakësohen edhe njerëzit që jetojnë nga deti dhe shumë po largohen nga qyteti bregdetar për të kërkuar jetesë tjetër.

Në molin e Radhimës kur dikur strehoeshin mbi një duzinë anijesh peshkimi, tani kanë mbetur vetëm tre ose katër.

Lajmi nga: BLU TV Reports

Komente

-