Valë të nxehti ekstreme  – Temperaturat mbi 40°C, rritet rreziku i zjarreve

Valë të nxehti ekstreme – Temperaturat mbi 40°C, rritet rreziku i zjarreve

Evropa po përjeton një valë të nxehti ekstreme, me temperatura që në disa vende kanë kaluar 40 gradë Celsius, duke rritur ndjeshëm rrezikun e zjarreve dhe duke vënë në gatishmëri autoritetet vendore.

Turqi – Zjarre në disa qytete dhe një tragjedi ajrore në Adana

Në Turqi, situata paraqitet alarmante me zjarre të shumta të raportuara në qytete si Izmir, Bursa, Tekirdag, Sakarya dhe Adana. Një avion zjarrfikës është rrëzuar në Adana gjatë një operacioni për të marrë ujë nga një digë, ndërsa ekipet e kërkim-shpëtimit janë ende në terren.

Greqi – Vala e parë e të nxehtit për vitin 2025

Në Greqi, temperaturat pritet të arrijnë deri në 41°C në zonat e brendshme të vendit. Banorët e Athinës janë dyndur drejt plazheve, ndërsa autoritetet paralajmërojnë për masa mbrojtëse deri në fundjavë, kur pritet një lehtësim i përkohshëm i temperaturave.

Spanjë dhe Portugali – Fundjavë përvëluese me deri në 44°C

Në Spanjë dhe Portugali, turistët dhe vendasit po përgatiten për një fundjavë të nxehtë ekstreme. Portugalia mund të përjetojë temperatura deri në 44°C, ndërsa shërbimet meteorologjike kanë lëshuar alarme portokalli, veçanërisht për zonat e brendshme më të ekspozuara.

Në Madrid dhe Lisbonë, qytetarët janë parë në kërkim të hijeve dhe freskisë përmes pijeve të ftohta, në përpjekje për të përballuar të nxehtin përvëlues.

Thirrje për kujdes maksimal në të gjithë rajonin

Autoritetet në gjithë Evropën Jugore u bëjnë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes maksimal, të shmangin qëndrimin në diell gjatë orëve të pikut dhe veprimtaritë që mund të shkaktojnë zjarr, pasi kushtet e thata dhe erërat e forta e rrisin ndjeshëm rrezikun e përhapjes së flakëve.

Lajmi nga: Pamela Shabani
Pamela Shabani

Pamela Shabani

Pamela Shabani është pjesë e redaksisë së Blu TV si gazetare e terrenit, duke sjellë në ekran realitetin përmes një vështrimi të ndjeshëm dhe analitik. E diplomuar në Psikologji, ajo kombinon aftësinë për të kuptuar dinamikat sociale me përkushtimin për të raportuar me objektivitet dhe përgjegjësi. Me interes të veçantë për çështjet sociale dhe historitë njerëzore, Pamela synon të japë zë atyre që shpesh mbeten në heshtje.

Komente

-