Europa po përballet me një nga valët më të hershme dhe më të ashpra të të nxehtit në vitet e fundit, me temperatura përvëluese që kanë detyruar mbylljen e monumenteve turistike dhe kanë vendosur në alarm qeveritë në disa shtete. Kulla Eiffel në Paris është mbyllur për vizitorët, për shkak të temperaturave ekstreme që po godasin Francën dhe pjesën më të madhe të rajonit mesdhetar.
Kombinimi i dy fenomeneve: Kupola e të nxehtit dhe valët detare të nxehtësisë
Shkencëtarët shpjegojnë se valës së të nxehtit i është shtuar ndikimi i një valë detare të nxehtësisë në Mesdhe, ku temperaturat e ujit janë deri në 9°C mbi mesataren sezonale – veçanërisht në pjesën perëndimore, në jug të Francës. Ky fenomen po rrit ndjeshëm lagështirën dhe temperaturat gjatë natës, duke e përkeqësuar ndjesinë e vapës dhe duke krijuar një cikël të mbyllur ndikimi midis detit dhe ajrit.
Sipas ekspertëve, këto valë janë bërë më të shpeshta dhe më intensive për shkak të ndryshimeve klimatike, dhe janë të lidhura edhe me fatkeqësi të tjera si përmbytje, zjarre masive dhe dëmtime infrastrukturore.
Temperatura rekord në Spanjë, Portugali dhe Francë
Në El Granado, Spanjë, temperatura arriti në 46°C, duke vendosur një rekord të ri kombëtar për muajin qershor, sipas shërbimit meteorologjik AEMET. Portugalia ka shënuar gjithashtu një rekord të mundshëm me 46.6°C në qytetin e Morës.
Në Francë, 16 rajone – përfshirë edhe Île-de-France, ku ndodhet Parisi – janë vendosur nën alarm të kuq, niveli më i lartë i paralajmërimit për të nxehtin ekstrem.
“Kërkojmë ndjesë për shqetësimin,” – thuhet në njoftimin zyrtar nga stafi i Kullës Eiffel. “Gjatë kësaj periudhe me temperatura të larta, ju lutemi kujdesuni për veten dhe qëndroni të hidratuar.”
Efektet në rajon: nga Britania në Ballkan
Në Mbretërinë e Bashkuar, kjo është vala e dytë e të nxehtit për këtë verë, me temperatura që kalojnë 32°C – një sfidë për një vend ku më pak se 5% e shtëpive kanë ajër të kondicionuar. Në Wimbledon, spektatorët janë parë duke përdorur ventilatorë dore për të përballuar vapën gjatë ndeshjeve.
Në Turqi, zjarre të fuqishme kanë përfshirë provincat Izmir dhe Manisa, duke detyruar evakuimin e mbi 50,000 personave. Edhe në jug të Francës, në Aude, janë djegur gati 400 hektarë pyje gjatë fundjavës.
Paralajmërimi i ekspertëve të klimës
Sipas Qendrës Evropiane për Parashikimet Afatmesme të Motit, Europa po përjeton një ngarkesë të pazakontë termike për muajin korrik, me temperatura që zakonisht regjistrohen në kulmin e gushtit.
“Ngrohja globale po e bën Evropën kontinentin që po ngrohet më shpejt në botë, me dyfishin e mesatares globale,” – tha Samantha Burgess, eksperte për klimën.
Në ditët në vijim pritet që disa vende të Europës Qendrore, përfshirë Gjermaninë, të regjistrojnë temperatura rekord për fillim korriku. Megjithatë, parashikuesit sinjalizojnë se një front i ftohtë mund të nisë të sjellë lehtësim nga fundjava, duke filluar nga veriperëndimi i kontinentit.
Komente