Një “kupolë e nxehtësisë” vdekjeprurëse ka zbritur mbi Europë, duke shkaktuar viktima, zjarre, alarme shëndetësore dhe temperatura rekord. Një turist humbi jetën në Majorka, ndërsa rrugët në Itali u shkrinë nga vapa përvëluese. Në Spanjë, temperaturat pritet të arrijnë deri në 47°C këtë fundjavë.
Autoritetet në Greqi kanë evakuuar banesa dhe kanë dërguar avionë me bomba uji, ndërsa 130 zjarrfikës luftuan flakët që shpërthyen në jug të Athinës të premten.
Aktivitetet në natyrë për ndërtuesit dhe stafin e shpërndarjes u pezulluan nga ora 09:00 deri në 14:00 (GMT), ndërsa qytetarëve iu rekomandua të shmangin udhëtimet e panevojshme. Punonjësit mund të punojnë nga shtëpia për të evituar lodhjen nga vapa, ndërsa për të moshuarit janë hapur ambiente me ajër të kondicionuar.
Një turist holandez 34-vjeçar humbi jetën nga goditja nga i nxehti në ishullin spanjoll të Majorkës, teksa po shëtiste me miqtë pranë Sollerit.
Ndryshimet klimatike kanë rritur ndjeshëm temperaturat e verës dhe kanë sjellë mot ekstrem që thyen rekorde pothuajse çdo vit në Europë. Fenomeni meteorologjik i njohur si “kupola e nxehtësisë” – një zonë me presion të lartë që kompreson ajrin në atmosferë – është shkaktari kryesor i valës aktuale të të nxehtit.
Në Britaninë e Madhe, temperaturat kanë arritur në 36°C, ndërsa autoritetet kanë paralajmëruar për rritje të vdekjeve, në atë që mund të jetë dita më e nxehtë e qershorit e regjistruar ndonjëherë. Agjencia e Sigurisë Shëndetësore të Mbretërisë së Bashkuar lëshoi një alarm të verdhë në të gjithë Anglinë për të paralajmëruar popullatën vulnerabël.
Në Londër, festivali Glastonbury po zhvillohet nën temperaturat përvëluese, me prani të artistëve si Kneecap dhe Rod Stewart. Ndërkohë, Wimbledon është përgatitur për një fillim të nxehtë, ku mund të thyhet rekordi prej 35.7°C i vendosur në vitin 2015.
Në Itali, alarmi i kuq është shpallur në 21 qytete, përfshirë Romën dhe Venedikun, ku po mbahet edhe dasma e miliarderit Jeff Bezos. Në Firence, temperaturat pritet të arrijnë deri në 37°C, ndërsa në Romë, Milano dhe Napoli deri në 36°C. Një autostradë në veri të Italisë u mbyll përkohësisht për shkak të shkrirjes së asfaltit.
Në Spanjë, vala e të nxehtit që po vjen nga Afrika mund të çojë temperaturat deri në 47°C, duke vënë në gatishmëri shërbimet e urgjencës, veçanërisht për fëmijët, të moshuarit dhe të sëmurët kronikë.
Edhe Portugalia është në alarm: të dielën, Lisbona pritet të shënojë 42°C, ndërsa dy të tretat e vendit janë nën alarm portokalli. Rreziku më i lartë i zjarreve është në brendësi të vendit dhe në bregdetin e Algarves.
Në Greqi, 12 avionë dhe 12 helikopterë po ndihmojnë zjarrfikësit në përballjen me flakët në zonën Palaia Fokaia. Një shtëpi është shkatërruar, ndërsa flakët përhapen për shkak të erërave që ndryshojnë drejtim.
Në Shqipëri, të paktën tetë vatra zjarri janë shënuar të enjten, pas dëmeve të mëdha në jug fundjavën e kaluar. Autoritetet janë në gatishmëri për të përballuar rrezikun në rritje.
Franca dhe Gjermania, në kontrast, janë përfshirë nga përmbytje dhe stuhi vdekjeprurëse, të cilat kanë shkaktuar rrëzimin e pemëve dhe vdekjen e tre personave, përfshirë një fëmijë. Meteo France raportoi se temperaturat e larta të detit Mesdhe ndikojnë në netët "më mbytëse", duke e përkeqësuar situatën.
Përtej Atlantikut, edhe SHBA-të janë nën pushtetin e një vale të rrezikshme të të nxehtit. Temperaturat në Central Park arritën në 37.2°C, më të lartat që nga korriku 2012.
Komente